Serbia kërkon “të blejë” biletën e anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes pasurive të “nëntokës”. Në Beograd u zhvillua samiti për shfrytëzimin e lëndëve të para, me fokus të veçantë mineralin e litiumit, tepër të rëndësishëm për automjetet elektrike.
Bashkimi Europian dhe Serbia firmosën një marrëveshje për partneritet strategjik në lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e vlerës së baterive dhe automjetet elektrike. Kjo i hap rrugën ndërtimit të minierës më të madhe të litiumit në Europë.
Presidenti Aleksandër Vuçiç e konsideroi këtë një kërcim kuantik të Serbisë dhe përballë protestave të shumta, premtoi se do të kujdeset për mbrojtjen e mjedisit për zonat e banuara afër minierës. Por interesin kryesor e pati tek paratë, duke premtuar se kjo do të sjellë 6 miliardë euro investime të reja.
Opozita serbe dhe aktivistët e mjedisit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë hekurudhat dhe rrugët kryesore nëse qeveria do të vijojë me projektin.
“Ne kemi nënshkruar për burimet minerale, duhet t’i shikojmë gjërat për të shfrytëzuar atë që kemi, Serbia nuk ka det, naftë, apo gaz, por atë që kemi ne duhet ta përdorim sa më mirë, për të mbrojtur njerëzit, për t’u siguruar atyre rroga dhe pensione më të larta. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në rrugëtimin tonë europian. Kemi rritur tre herë tregtinë me Gjermaninë vitet e fundit. Nga e hëna do të mund të shihni lajme të reja të mëdha për vendin tonë”, tha Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë.
Gjermania është një aktor kryesor në këtë marrëveshje, pasi mund të sjellë në Serbi industrinë e automjeteve elektrike.
Beogradi shpresonte që përmes litiumit të ndikonte edhe procesin e normalizimit me Kosovën, por kancelari Olaf Scholz, iu tregoi zyrtarëve realitetin.
“Ne duam t’ju ndihmojmë të keni sukses sepse promovon paqen dhe stabilitetin në rajon. Jam një mbështetës i madh i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, prandaj avokoj për fqinjësi të mirë, raporte normale me Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, u shpreh Olaf Scholz.
Kancelari i Gjermanisë nënvizoi se litiumi në këtë periudhë është po aq i rëndësishëm sa nafta dikur.
Nënpresidenti i Komisionit Europian, Marosh Shefçoviç, ishte në Beograd për të firmosur memorandumin, nënvizoi se kjo ishte një ditë historike për Serbinë dhe BE-në.
“Ne ju shohim, ju duam në Bashkimin Europian dhe një projekt si ky vetëm sa do ta përshpejtojë të gjithë procesin”, theksoi ai.