Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se falë tij dhe tre njerëzve të tjerë Kosova nuk është futur në Kombet e Bashkuara.
Në një intervistë të dhënë për Pink Tv, Vuçiç u shpreh gjithashtu se ai ka mbështetjen e të gjithë serbëve të Kosovës dhe se këtë të fundit janë të gatshëm që të sakrifikojnë për të.
“Prova më e mirë është se sa mbështetje kam në Kosovë dhe sa kanë të tjerët. Treguesi më i mirë është thirrja e sotme që serbët e Kosovës të ngrenë duart e tyre nga unë, sepse, siç thuhet, i kam lutur të vijnë në Beograd për të më mbrojtur. Unë i kam lutur të mos vijnë. Pra, serish rrena. Vetëm gënjejnë. Falë meje dhe tre njerëzve të tjerë, sot nuk e kemi Kosovën në Kombet e Bashkuara”.
Por edhe pse nuk dha detaje mbi vendet që nuk kanë lobuar për mos anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, Vuçiç komentoi edhe çështjen e dialogut me Kosvën.
“Shqiptarët sillen në mënyrë të papërgjegjshme, dhe duhet të mbroheni edhe nga ana tjetër me resurse të vogla. Përkundër histerisë në Prishtinë, ne kemi qenë të suksesshëm deri më tani, dhe kështu do të vazhdojmë. Ata nuk respektuan marrëveshjen e Brukselit, vendosën tarifa. Nuk do të ketë lëshime, tarifat duhet të hiqen. Do të bëjmë gjithçka për të parandaluar konfliktin, andaj është e rëndësishme të mbahet paqja me çdo kusht”.