Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaron se kufijtë e Ballkanit duhet të mbeten ata ekzistues. Ai u pyet në lidhje me mundësinë e shpërbërjes së Bosnje Hercegovinës, aneksimin e “Republikës Srpska” nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, referuar një dokumenti që publikuan mediat sllovene ditët e fundit.
“Kufijtë ekzistues janë Serbia me Kosovën dhe tërë Bosnje-Hercegovinën, ndërsa respekton integritetin e Republika Srpskas brenda Bosnjës. Çdo ditë keni kërcënime për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë nga Tirana dhe Prishtina, dhe ata heshtin çdo ditë”, është shprehur Vuçiç.
Ndërkaq kryeministri serb tha Beogradi po punon për afrimin e pozicioneve me Prishtinën për vazhdimin e dialogut. Ai tha se së shpejti do të udhëtojë në Bruksel dy herë për vijimin e dialogut, duke theksuar se ky konflikt nuk duhet të mbetet i ngrirë.
Ditët e fundit mediat në slloveni kanë publikuar artikuj për ekzistencën e një dokumenti që i është dërguar Brukselit nga presidenti i Sllovenisë, Janez Jansa. Dokumentin thuhet se ka marrë dhe Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel.
Ky dokument që sqarohet se nuk është qëndrim zyrtar i Sllovenisë, shihet si një propozim joformal për zgjidhjen e mundshme të konflikteve në Ballkan. Dy idetë kryesore të dokumentit janë ndarja e Bosnje Hercegovinës dhe bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.