Bota Vuçiç mohon grumbullimin ushtarak në kufi me Kosovën: Fushatë gënjeshtrash kundër Serbisë

Vuçiç mohon grumbullimin ushtarak në kufi me Kosovën: Fushatë gënjeshtrash kundër Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi të dielën njoftimet e Shteteve të Bashkuara për një grumbullim ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, duke u ankuar për siç tha një “fushatë gënjeshtrash” kundër vendit të tij, një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Të dielën e kaluar, një oficer i policisë së Kosovës u vra dhe dy tjerë u plagosën në një sulm të një grupi të armatosur rëndë. Grupi më pas u strehua në manastirin ortodoks të fshatit Banjskë. Gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse gjatë tërë ditës, tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Sulmi rriti tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi shqetësimet perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.

Qeveria e Kosovës tha të shtunën se po përcjellë lëvizjet e ushtrisë serbe, duke i kërkuar largimin e menjëhershëm të trupave nga kufiri i saj.

“Fushatë e gjerë kundër vendit tonë Serbisë. Fushatë e gënjeshtrave – fushatë e të pavërtetave. Ata kanë gënjyer për praninë e forcave tona ushtarake. Në fakt, ata janë të shqetësuar që Serbia ka ato që i përshkruajnë si armë të sofistikuara”, tha presidenti serb të dielën në një postim në rrjetet sociale.

Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dielën pamje ku shihen automjete të ushtrisë serbe duke u larguar drejt Serbisë qendrore, një shenjë se ushtria mund të zvogëlojë praninë e saj në rajon pas thirrjeve amerikane dhe evropiane.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit të së dielës së kaluar, ndërkaq Beogradi mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur. Sulmi u mor përsipër nga Milan Radoiçiç nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Presidenti serb Vuçiç, tha të dielën se brenda 24 orëve do t’i paraqesë publikut provat dhe tregimet e dëshmitarëve lidhur me sulmin në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

“Kemi deklarimet e dëshmitarëve, njerëzve që kanë qenë aty dhe kanë parë se në çfarë mënyre të paktën një serb është vrarë brutalisht. Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë sepse jetët e serbëve nuk janë më pak të vlefshme se jetët e të tjerëve”, tha ai.

Diplomacia perëndimore e ka dënuar në shkallë të gjerë sulmin ndaj policisë së Kosovës, duke kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë. Bashkimi Evropian ndër të tjera ka theksuar se sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat.