“Mund të më vrisni, por Kosovën nuk e njoh”. Mesazhi i fortë vjen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, teksa përsërit qëndrimin e tij për ndërkombëtarët se nuk mund ta detyrojnë të bëjë diçka të tillë.
“Mund të më vrisni, por kjo nuk do të ndodhë. Ju them, anglezëve dhe gjermanëve se nuk do ta bëj. Më godisni, por unë s’do ta bëj! Mund të jem president edhe për 15 vjet, por nuk e njoh Kosovën”, ka thënë Vuçiç.
Kreu i shtetit serb thotë për “Tanjug” se gjetja e një zgjidhje për Kosovën është bërë e pamundur, pasi të gjithë u çmendën sipas tij. Beogradi dhe Prishtina nuk arritën të gjenin një zgjidhje në Samitin e Berlinit, ku palët folën me zhgënjim për pretendimet e ngritura atje.
Liderët e Kosovës u shprehën të vendosur për të mos bërë asnjë hap prapa sa i përket taksës, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, ndërsa Vuçiç e bëri të qartë se nuk do të ketë dialog pa heqjen e tarifave mbi produktet serbe.
Përpjekja e radhës për të rikthyer palët në tryezën e bisedimeve do të bëhet në 1 korrik, në një takim të organizuar sërish nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.