Në fjalimin e parë drejtuar serbëve pasi u bë e qartë fitorja e partisë së tij, Aleksandër Vuçiç tha se nuk do të qeverisë me arrogancë. Me rreth 62% të votave të serbëve, SNS u rendit e para, duke marrë një mandat tjetër qeverisës.
“Ne do të përpiqemi të formojmë një qeveri që do të duhet të marrë vendime thelbësore në të ardhmen dhe që do të ketë një konsensus edhe më të gjerë se sa kjo mbështetje që kemi marrë. Dua të flas me të gjithë, të bëj kompromise, nuk dua të tregoj arrogancë, mendjemadhësi dhe superioritet ndaj askujt”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp mbrëmë në selinë e SNS.
Ai theksoi se Serbia do të duhet të punojë më shpejt dhe më fort në drejtim të rrugës evropiane.
Vuçiç u shpreh se një mbështetje kaq e fortë e ngarkon partinë e tij me përgjegjësi akoma më të madhe, sepse askush nuk ka pasur kurrë një mbështetje të tillë prej shumë kohësh.
“Asnjë qytetar serb nuk ka vuajtur për shkak të politikës sonë, dhe unë shpresoj dhe jam i sigurt se askush nuk do të vuajë. Ne kemi bërë që Serbia të ketë ekonominë më të shpejtë dhe me rritjen më domethënëse në historinë moderne. Kjo është ajo që njerëzit duan“, nënvizoi ai.
Vuçiç raportoi se sipas sondazheve, 62 për qind e grave votuan për listën e SNS, dhe 38 për qind e burrave, që, thotë ai, do të thotë se 75 për qind e grave që hodhën votën e tyre, zgjodhën partinë e tij.