Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë se sot mund të jetë dita më e vështirë për të dhe për vendin e tij, për shkak të takimit me pesëshen e madhe euro-amerikane.
Ende pa biseduar mirë me ta, ai theksoi se e di mirë se çfarë pakete do t’i dorëzojnë Lajçaku, Escobari dhe të tjerët.
“Nuk fle natën për shkak të kësaj, nuk e di nëse do të bërtas apo do të qaj nga dhimbja. Por mund t’ju them se do të kërkojmë një rrugë dhe do t’ia dalim ta ruajmë Serbinë”, u shpreh Vuçiç gjatë një eventi për 15 vjetorin e krijimit të partisë së tij, SNS.
Presidenti serbi foli në mënyrë të koduar duke nënvizuar se ai nuk do t’i bëjë askujt ndonjë dhuratë dhe se do të arrijë të ruajë vendin dhe popullin.
“Mund t’ju premtoj se nuk do të luftoj për të shpëtuar veten, por do të luftoj me gjithë zemër për të shpëtuar vendin, sado të fuqishëm dhe të fortë të jenë ata. Gjithashtu do ta mbroj Kosovën dhe Metohinë dhe njerëzit tanë në Kosovë e Metohi”, përfundoi Vuçiç.