Ditën e sotme në Serbi po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale, të cilat shihen si një sfidë për presidentin Aleksandër Vuçiç nëse do të çimentojë pushtetin apo do të fillojë rënia e tij.
Serbët do të votojnë në këto zgjedhje për të rinovuar parlamentin kombëtar, si dhe asamblenë e provincës autonome të Vojvodinës dhe kryetarët në rreth 60 komuna, duke përfshirë kryeqytetin, Beograd.
Shumë sondazhe, vendase e të huaja parashikojnë se Partia Progresive Serbe e presidentit Vuçiç do të ketë rënie të ndjeshme në këto zgjedhje dhe nuk do të jetë në gjendje të formojë qeverinë.
Zgjedhjet serbe nuk do të mbahen në veri të Kosovës, teksa në Luginën e Preshevës shqiptarët do të votojnë për dy lista.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.