“Hapësira e Serbisë për manovrim do të zvogëlohet,” – tha për Radio-Televizionin e Serbisë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Duke folur për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë sot në Bruksel në nivel ekspertësh dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Vuçiç tha: “Ne nuk iu kundërvihemi shqiptarëve atje. Është njësoj si kur flisni me shqiptarët, ashtu edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Ata mendojnë njësoj dhe të gjithë e duan Kosovën e pavarur”.
Presidenti serb theksoi se SHBA-të nuk i kanë braktisur bisedimet për Kosovën dhe se ai pret angazhim edhe më të fuqishëm të amerikanëve në këtë çështje.
“Në një moment do të jemi nën presion, por ma lini mua, unë jam veteran në politikë, e di se cilat janë pasojat për mua, por do ta mbroj vendin, jo veten time,” – theksoi Vuçiç.