Presidenti serb, Alexandar Vuçiç, i ndodhur në një vizitë zyrtare në Bullgari gjatë së premtes, falënderoi homologun e tij bullgar, Rumen Radev, për mbështetjen që i jep Serbisë në rrugën e saj europiane, duke përsëritur disa herë sesa e rëndësishme është të dëgjohet zëri i Serbisë.
Duke theksuar se anëtarësimi i Serbisë në BE brenda vitit 2025 është një objektiv ambicioz, Vuçiç deklaroi se Serbia do të bëjë më të mirën për të përmbushur të gjitha kriteret, duke kujtuar gjithsesi se ekziston edhe një kriter shtesë, që nuk ka ekzistuar për asnjë shtet tjetër anëtar: zgjidhja e problemeve me Kosovën.
“Ne duam që të arrijmë një kompromis. Por, sesa do të kemi sukses në këtë aspekt, kjo varet jo vetëm nga njëra palë, sepse kompromisi kërkon konsensusin e të paktën dy palëve, e ndonjëherë edhe më shumë palëve”, tha president serb.
“Nëse dikush mendon se zgjidhja për Serbinë është të humbasë gjithçka, në mënyrë që dikush tjetër të përfitojë gjithçka, në mënyrë që ai të kënaqet dhe Serbia të zhgënjehet e të poshtërohet, atëherë ne mendojmë se nuk do të gjejmë zgjidhje. Kjo është arsyeja përse ne jemi në favor të një kompromisi, e ndaj jemi mirënjohës ndaj presidentit Radev, i cili kërkon të dëgjojë idetë e Serbisë, problemet dhe sfidat me të cilat përballemi ne”, shtoi më tej Vuçiç.
Sipas presidentit bullgar, nuk ka asnjë alternativë tjetër për dialogun Beograd-Prishtinë, por të gjitha palët e përfshira në bisedime duhet të analizojnë argumentet e Serbisë me qetësi e kujdes.
“Bullgaria i jep një rëndësi të madhe dialogut. Një zgjidhje paqësore duhet të arrihet për çdo problem”, tha ai.