“Lëreni Serbinë të qetë!”. Kështu u është përgjigjur presidenti Aleksandër Vuçiç kritikave për blerjen e armëve nga Kina. Ai tha se blerja e sistemit raketor antiajror, FK-3, është legjitime dhe plotësisht transparente, duke pretenduar se është për vetëmbrojtje dhe jo për të sulmuar apo kërcënuar paqen në Ballkan.
Gjatë një videomesazhi të publikuar nga presidenca serbe, Vuçiç akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin malazez, Milo Gjukanoviç, për fushatë gënjeshtrash kundër Beogradit dhe përhapje të urrejtjes ndaj serbëve dhe Serbisë, teksa nuk i kurseu dhe ofendimet për dy liderët e rajonit.
“Serbia, si një vend neutral ushtarak, është e vetme në rajonin e gjerë. Në cirk, ju keni parë luanë, elefantë, tigra, por nuk e keni parë kurrë një ujk të vetmuar. Unë më me dëshirë do të isha gjithmonë një ujk i vetmuar sesa një hienë e paturpshme dhe e pamoralshme. Është edhe më keq të jesh mizë që sillet rreth hienës dhe pret t’i sillet një pre, siç janë Kurti dhe Gjukanoviç”, tha Vuçiç.
Presidenti Vuçiç shpjegoi se sistemi shërben për të shkatërruar raketat e lundrimit të aviacionit armik që do të cenonin hapësirën ajrore të Serbisë.
Ai pyet se si Beogradi rrezikon kështu Prishtinën dhe Podgoricën dhe nuk i kurseu ironitë.
“Nëse do të bëja shaka, do të ishte më mirë për ne të blinim spray “Autan”, sepse është shumë më e rëndësishme të mbrohemi nga mizat dhe mushkonjat sesa nga çdo forcë ajrore serioze që ata kanë”, shtoi presidenti serb.
Kurti tha një ditë më parë se qeveria e Kosovës është e shqetësuar që Serbia ka blerë armë nga Kina, por jo e frikësuar. Shqetësim shprehu edhe presidenti malazez.