Ndryshe nga një ditë më parë kur tha se nuk komentonte vendimet e gjykatave, këtë të mërkurë Lulzim Basha tha se vendimi për vulën e PD është produkt i pazarit mes Rithemelimit dhe PS.
“Nuk kam asnjë shqetësim që lidhet me fatin tim personal. Fatin tim personal në politikë e kam lidhur me gjëra të cilat besoj dhe sigurisht për ato që kam besuar dhe besoj bëj betejë. Disa i kam fituar, disa i kemi humbur dhe pasojat nuk i vuaj vetëm unë, pasojat i vuajnë qytetarët shqiptarë. Distancime me Edi Ramën duhet të bëjnë ata që bëjnë pazare me Edi Ramën dhe kush bën pazare me Edi Ramën është e qartë nga vendimi i djeshëm i gjykatës. Ndërsa kushti që kam unë në bashkëpunim me të tjerët është distancimi i qartë, jo vetëm nga Rama, por edhe nga Ilir Meta”, tha Basha.