Vula e Partisë Demokratike ka kaluar në duart e Sali Berishës pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit, që ka detyruar Lulzim Bashën të mbledhë në mënyrë urgjente strukturat drejtuese të asaj që deri më sot njihej si PD zyrtare.
Teksa hynte në seli, Basha foli për të parën herë pas verdiktit të Apelit duke thënë se nuk do të komentojë vendimet e gjykatave, por nënvizoi se grupimi i tij do të vijojë betejën politike.
“Nuk komentoj vendimin e gjykatave, ky është një standard i imi, i yni si PD për të cilin kemi thënë që do ti përmbahemi edhe në rastin e vendimit të Gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them demokratëve që janë mërzitur me këtë vendim, pasi prisnin një vendim tjetër, ju them që të mos mërziten, të mos dëshpërohen sepse në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur, as e vazhdojmë për logo, për vulë, apo për karrige. Jemi bërë bashkë për një betejë më të madhe. Kjo është një betejë shpirtrash të bashkuar për idealet e dhjetorit. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton, ndryshe, meriton më mirë dhe më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që të mos shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, të qindra mijëra njerëzve. Do të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë.”
Për vendimet që do të merren në vijim, Basha tha se do të diskutojë me kolegët.
“Hapat do t’i diskutojmë me kolegët. Të gjitha vendimet që do të marrin do të jemi në përputhje me angazhimi për ata qindra demokratë dhe synimi është largimi i kësaj qeverie një hap e më parë.”
I pyetur se si ndihet tani që nuk gëzon më postin e kryetarit të PD dhe është vetëm një deputet, Basha tha se kurrë nuk e kanë ndryshuar ofiqet apo titujt.
“Nuk e kam ndjerë veten ndryshe prej titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politikë, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit nuk është titulli, ofiqi apo logoja, por është përkushtimi për një Shqipëri më të mirë që meriton më shumë.”