Politika Vula e PD, përplasje mes palëve në sallën e gjyqit, Rithemelimi: Alibeaj...

Vula e PD, përplasje mes palëve në sallën e gjyqit, Rithemelimi: Alibeaj të mos jetë palë në proces

Gjykata e Posaçme e Apelit ka nisur shqyrtimin e ankimit mbi fatin e përkatësisë së Partisë Demokratike. “Rithemelimi” përfaqësohet në gjyq nga Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia, ndërsa Lulzim Basha, përfaqësohet nga avokatët Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa.

Dy Sekretarët për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso dhe Indrit Sefa si përfaqësues të palëve, kanë bërë apel për vendimmarrje të drejtë.

Kaso ka kërkuar nga Gjykata mos pranimin e ankimit të bërë nga Alibeaj kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri.

Ndërkohë avokati i Lulzim Bashës, Rezart Kthupi ka deklaruar se palë në proces është vetëm një, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Pjesë nga diskutimet në seancë:

Rezart Kthupi: Jemi në kushtet e një vijimësie të ushtrimit të drejtimit të partisë me autorizim fillimisht nga zoti Basha dhe më pas nga zoti Alibeaj. Subjekti i animuar nuk është Alibeaj, por PDSH. Kjo gjykatë e ka për detyrë të sqarojë se kush i ka tagret e përfaqësimit. Basha vërtet dha dorëheqjen, por nuk e dorëzoi në Gjykatë. Nuk ka një vakum për drejtimin e partisë. Ne kërkojmë që kërkesa të rrëzohet dhe të vazhdojmë me gjykimin në themel. Nuk është konflikt palësh juridike.

Indrit Sefa: Gjykata e Lartë është shumë e qartë me tagret e përfaqësimit. Autorizimit nuk i mbaron efekti kur autorizuesi ka dhënë dorëheqjen. Alibeaj përfaqëson Partinë Demokratike.

Ivi Kaso: Si KAS, si Kolegji Zgjedhor thonë që dorëheqja është fakt i njohur botërisht dhe nuk kishte nevojë për ta dorëzuar si shkresë.

Gjykata do shprehet në fund të gjykimit për kërkesën e Kasos, që Alibeaj të mos jetë palë në proces.