Rikthimin në Gjykatën e Apelit të vulës së Partisë Demokratike, për Sali Berishën është një tregues se si Gjykata e Lartë është e kapur nga kryeministri Edi Rama. Në daljen për mediat nga selia blu, Berisha tha se duhet të ishte e drejtë njohja e vendimit të shkallës së parë.
“Thjesht, vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit.
Aktualisht në fuqi është vendimi i Shkallës së Parë, sepse Gjykata e Lartë nuk e çoi për rigjykim në Shkallën e parë, por e çoi për rigjykim në Apel, duke marrë një vendim disiplinues ndaj treshes që mori atë vendim, duke kërkuar që të mos e gjykojë më ajo, për arsye të cilat duhet lexuar vendimi.
Pra, kthehemi siç kemi qenë në fillim, kur vendosi Gjykata e Faktit.
Ky është realiteti. Çdo interpretim tjetër është krejtësisht i gabuar.
…Gjykata e Lartë nuk mund të merrte vendim, nëse do gjykonte në lartësi, përveçse njohjen përfundimtare të Gjykatës së Faktit. Pse e them këtë? Vetë Gjykata e Lartë ka disiplinuar, se kjo quhet disiplinim, sepse të të përjashtojë nga e drejta e rigjykimit, ajo normalisht po të mos kishte probleme të rënda, i takonte ta gjykonte e njëjta trupë, por fakti që u detyrua të përjashtojë trupën dhe pastaj, pra kaq skandaloze ishte gjendja aty në vendim, kaq skandaloze ishte saqë nuk mund të përtypej në asnjë mënyrë dhe u detyrua ta kthejë me një trupë tjetër.
Në një kohë kur vendimi i vetëm jashtë diktatit të Edi Ramës, do ishte që lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, i cili është në fuqi, por është në fuqi gjersa të gjykohet, që të mos bëjmë interpretime. Të dyshosh tani që Gjykata e Lartë nuk kontrollohet nga Edi Rama, tani mos e pyet”, tha Berisha.