Kryesore Vulin kërkoi aleancë antishqiptare me Greqinë, Shqipëria thërret ambasadorin serb në Tiranë:...

Vulin kërkoi aleancë antishqiptare me Greqinë, Shqipëria thërret ambasadorin serb në Tiranë: Presim reflektim të menjëhershëm

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur me anë të një deklarate për mediat, se ka thirrur një ditë më parë ambasadorin serb në Tiranë, të cilit i janë kërkuar sqarime për deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.

Dy ditë më parë, Vulin u shpreh se “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim agresiv, kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi.

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, tha Vulini duke kërkuar nga Greqia që të formojnë një aleancë antishqiptare.

Në njoftimin e Ministrisë tonë të Jashtme theksohet se, “deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.

MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit euvropian”, mbyllet njoftimi i MEPJ.