Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizoi nominimin e Albin Kurtit për kryeministër. Kjo është bërë e ditur nga vetë forca politike që fitoi zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, që ka publikuar dhe letrën e dërguar presidentit, Hashim Thaçi. “Lëvizja Vetëvendosje propozon, Albin Kurtin, si të mandatuar për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, shkruhet në dokumentin zyrtar.
Vendimi i Vetëvendosjes vjen pas kërkesave të shumta të presidentit Thaçi për të formuar sa më shpejt ekzekutivin e ri të vendit. Marrja e mandatit duket se nuk do të zgjasë shumë, duke ditur që dokumenti është I firmosur dhe ndodhet në zyrën e kreut të shtetit. Pas tërheqjes së tij, Kurti ka kohë 15 ditë për të formuar qeverinë e re. Por negociatat disa mujore për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk janë përmbyllur ende.
“Nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të LDK, por jemi të gatshëm për gjetjen e alternativave të tjera që do të ishin të pranueshme për të dy palët”, tha Kurti në një videomesazh në Facebook. Qëndrimin e LDK për t’u takuar vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes Kurti e quajtur të gabuar. “Besoj se duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve”, tha ai.