Bota “Wagner mund të rekrutojë jashtë Rusisë, Ballkani Perëndimor është opsion”

“Wagner mund të rekrutojë jashtë Rusisë, Ballkani Perëndimor është opsion”

Nje ushtar i Wagner ne Rostov

Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, Wagner, i cili nisi, por më pas e ndaloi rebelimin kundër ushtrisë ruse, mund të kërkojë terrene rekrutimi jashtë Rusisë ose Bjellorusisë.

Ballkani Perëndimor është një prej opsioneve, thotë Anna Matveeva, eksperte në Institutin për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, RUSI, me seli në Londër.

Në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë, ajo theksoi se shumë nga zyrat e Wagnerit në Rusi janë mbyllur.

“Nga ana tjetër, ai do t’i rifillojë operacionet në Afrikë, do të ofrojë kushte fitimprurëse… Atëherë, shtrohet pyetja: pse jo? Mendoj se është shumë e mundur që ai ta vendosë sërish theksin te rekrutimi jashtë Rusisë, e kjo do të thotë edhe në Ballkanin Perëndimor. Ky është një nga opsionet që duhet marrë në konsideratë, veçanërisht nëse e dimë se Wagneri ka rekrutuar në Serbi që nga viti 2014. Ne e dimë se luftëtarët serbë të Wagnerit kanë qenë në Siri në atë kohë”, ka deklaruar ajo.

E pyetur se përse Prigozhin vendosi të ndërmarrë hapa të tillë, ajo përgjigjet se ka disa shpjegime.

“Në njërën anë ka një konflikt midis Prigozhinit – themeluesit të Wagnerit – forcave të tij dhe ministrit rus të Mbrojtjes.

Kjo ka filluar me sulmin e Prigozhinit ndaj ministrit të Mbrojtjes, ose me mosdorëzimin e armëve, municioneve dhe plumbave për luftëtarët e tij. Ministri i Mbrojtjes është përgjigjur duke u përpjekur ta përfshijë forcën Wagner në një forcë nën komandën e përgjithshme të tij, duke e detyruar të nënshkruajë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, në vend që të mbetet forcë e pavarur.

Wagneri ka refuzuar, duke deklaruar se Ministria [e Mbrojtjes e Rusisë] është e paaftë, joprofesionale, jopatriotike dhe se ai nuk do që t’i përgjigjet një organizate të tillë”, ka deklaruar ajo ndërsa ka shtuar se ka edhe një anë më të madhe politike të kësaj.

“Prigozhin po përpiqet të imponojë një lloj krize politike në Rusi, duke menduar se do të përfitojë prej saj, kur epoka e Putinit të ndalet, të marrë fund. Atëherë, ai do të ishte një nga shtytësit dhe shkundësit e rëndësishëm të strukturës së re në vend.

Pra, në këtë kuptim, ai ka aleatë, ne mund të spekulojmë se kush janë ata, me siguri. Dhe, sigurisht, e gjithë kjo e ka detyruar presidentin Putin të negociojë, në vend që të përpiqet ta thyejë Wagnerin me forcë”, ka thënë ajo për REL.

Pyetjes se çfarë nënkupton e gjithë kjo për Putinin, ajo i përgjigjet se situata nuk është e mirë tani.

“Sigurisht që nuk duket aq e mirë, duke pasur parasysh se Putini e ka projektuar imazhin e tij si kryesori. Ai e ka përsëritur këtë, duke iu drejtuar kombit gjatë kohës sa ka zgjatur rebelimi. Në njëfarë mase ka dashur të tregojë se merr përgjegjësitë, ka dashur t’i bindë njerëzit se nuk është në gjendje të keqe shëndetësore dhe i paaftë për të marrë vendime.

Por, vetë fakti që rebelimi ka zgjatur, që trupat Wagnerit kanë hyrë pa pengesa nga Ukraina, pak a shumë 200 kilometra larg Moskës… Kjo nuk duket gjë e mirë, liderët e mëdhenj nuk lejojnë që situata të përshkallëzohet në atë nivel”, deklaroi ajo.