Trajneri i njohur Arsen Wenger refuzoi disa herë avancimet e Realit të Madridit në karrierën e tij, por nuk do të bënte të njëjtën gjë nëse “Galaktikët” do të trokasin sërish në portën e tij.
Tekniku francez qëndroi 22 vite tek Arsenali, duke qenë një nga trajnerët më jetëgjatë me një ekip, por e mbylli aventurën e tij me “Topçinjtë” në fund të sezonit të kaluar dhe aktualisht është komentator për “beIN SPORTS”.
Emri i Wenger është lakuar si kandidat për stolat e disa ekipeve të mëdha, por ai nuk dëshiron të nxitohet për t’u rikthyer në rolin e trajnerit. Së fundmi, ai ka zbuluar disa detaje nga e kaluara e tij. Reali i Madridit është një klub i parefuzueshëm, por francezi e ka bërë, madje më shumë se një herë. Në prononcimin e dhënë për “beIN SPORTS”, 69-vjeçari shpjegon dhe shkaqet e refuzimeve ndaj “Blancos”.
“Duhet të them se ndoshta tani opsioni i Realit është diçka e kaluar për mua. E kam refuzuar disa herë në të kaluarën. Nëse pyesni çdo trajner në botë nëse interesohet për të drejtuar Realin, sigurisht ai do të thotë po. Është klubi më i madh në planet. Por, unë isha në mes të një projekti me Arsenalin dhe kisha detyrime, duhej të paguaja diçka mbrapsht. Ne jetojmë me vlera dhe jam i lumtur me zgjedhjen time”, tha Wenger.