Sport Wenger rrëfen dy obsesionet: Feja më ka ndihmuar, por në kishë gënjeja

Wenger rrëfen dy obsesionet: Feja më ka ndihmuar, por në kishë gënjeja

Ish-trajneri i njohur francez, Arsene Wenger, 72 vjeç, është rritur me dy obsesione: futbolli dhe feja. Ai ka rrëfyer së fundi se cili ka qenë impakti i fëmijërisë së tij në mënyrën e stërvitjes së ekipeve.

Wenger është rritur në Duttlenheim, pak kilometra larg kufirit me Gjermaninë. Një fshat i vogël, ku djaloshi Arsene u rrit mes besimit dhe futbollit.

Ish-trajneri i Arsenalit, tani përgjegjës për zhvillimin botëror të futbollit në FIFA, ka rrëfyer jetën e tij në programin ‘Desert Island’ të ‘BBC4’.

Ai ka shpjeguar edhe ndikimin e fëmijërisë në punën që ka bërë për shumë vite. Nga besimi, që dominonte totalisht jetën e vendit të tij të vogël, ka mësuar diçka që e ka marrë me vete gjatë gjithë karrierës: të mos kënaqesh asnjëherë.

“Ndikimi në karrierë i kësaj situate është se nuk isha kurrë krejtësisht i kënaqur me atë që bëja. Më dukej se nuk bëja asnjëherë mjaftueshëm. Më bënte feja që të ndihesha gjithmonë pak fajtor. Feja katolike funksionon kështu. Duhej të rrëfeheshim çdo javë në kishë dhe ndonjëherë gënjeja. Jo gjithmonë e kujtoja gjithçka të gabuar që kisha bërë”.

Rezultatet e skuadrave që ka drejtuar flasin në favor të tij. Dhe pikërisht të mos kënaqurit me fitimin ‘vetëm’ të Premier Ligës, futbollistët e tij tek Arsenali u bënë “të pamposhtur”.

Wenger ka edhe disa këshilla. Janë fjalë të dikujt që ka pasur një fëmijëri të veçantë, pasi zoti Alfons dhe zonja Luizë, prindërit e Wenger-it, kishin një aktivitet që u linte pak kohë të merreshin me familjen.

“Nuk do t’ia këshilloja askujt të hapte një ‘bistrot’ (tavernë), nëse ka fëmijë. Në atë kohë nuk kishte jetë familjare, ishim hapur çdo ditë të vitit. E mbyllnim vetëm një ditë, nga ora 4 deri në mesnatë. Ishte dita e Krishtlindjeve. Ndodhte vetëm se feja dominonte krejtësisht jetën e fshatit. Nuk bëhej fjalë për pushime”.

Wenger kështu ka pasur të gjithë mundësitë për të menduar vetëm për futbollin. Si lojtar nuk arriti rezultate të mira, por si trajner ishte gjithçka ndryshe. Tani mund të rrëfejë edhe ndonjë mëkat të vogël…