Në tregun e Parioli, i boshatisur nga pandemia, tashmë janë mësuar prej kohësh të mos e shohin më atë zotërinë, që të shtunën në mëngjes, me gazetat në dorë, qëndronte në radhë për të bërë pazar, pasi kishte porositur fileton te dyqani i mishit, të cilën ia besonte së shoqes Serena, e cila e priste në makinë.
Skena të një jete më parë, kur Mario Draghi, para se të hynte në listën e njerëzve më të fuqishëm (renditej i 18-i në botë në klasifikimin e Forbes në 2018), mund t’i lejonte vetes një të shtunë si një njeri i çfarëdoshëm, siç i pëlqen atij, pa ndonjë shfaqje luksi apo privilegje.
Serenën, e “tërhoqi në valle”, kur pasi përfundoi mandatin në Bankën Qendrore Europiane, gazetarët filluan ta pyesnin nëse do të hynte në politikë. “Pyesni gruan time” – përgjigjej ai gjithnjë. Deri në telefonatën e Sergio Mattarella, i cili ndoshta i ka siguruar një parkim pranë tregut.
Përtej shakave, nuk ka asgjë më të vështirë se të bësh portretin e këtij bankieri të sjellshëm dhe diskret, por me vullnet të hekurt. Në dukje, një njeri i thjeshtë, por i aftë të merret me çështjet më të ndërlikuara, me një logjikë të pagabueshme, i cili i ngjan më shumë Dekartit se Makiavelit, me të cilin ai fitoi besimin e Angela Merkel dhe mposhti skifterët e Bundesbank.
Kjo do t’i duhet ende, për të vijuar luftën kundër populistëve dhe sovranëve në Pallatin Chigi, me të cilët ai u përball me sukses kur ishte në rrezik mbijetesa e euros. Do t’i duhet ende, në moshën 73-vjeçare, edhe ai imazhi i djalit të mirë, i talentuar për basketboll, “studiues por jo budalla” që e dalloi atë në liceun klasik Massimo, i drejtuar nga jezuitët. “Nuk ishte një njeri që spiunonte” kujton Giancarlo Magalli, shok klase në atë kohë, ashtu si Luca di Montezemolo.
Humbja e prindërve dhe teza kundër një monedhe të vetme
Mario Dragi u rrit shpejt, nën hijen e një, ose më saktë, dy tragjedive. Në moshën mes 15 dhe 16 vjeç, humb së pari të atin, Carlo, nga Padova, punonjës në Bankën e Italisë e më pas në Bnl dhe pak më vonë, të ëmën, Giulia Mancini, farmaciste. Për rritjen e Marios dhe dy fëmijëve të tjerë (Andreina, sot historiane arti, dhe Marcello, sipërmarrës), u kujdes halla e tij.
Karriera shkollore e presidentit të ardhshëm të Bankës Qendrore Europiane (si dhe Bankës së Italisë) nis në Universitetin e Sapienza-s, kur diplomohet nën drejtimin e një mësuesi të madh, Federico Caffè. Teza e diplomës? “Integrimi ekonomik dhe kurset e këmbimit” në të cilin ai del kundër një prej projekteve të para për integrimin e një monedhe, të propozuar nga Pierre Werner. Me pak fjalë, kurrë mos thuaj kurrë. Në vitin 1971 shkon, me rekomandimin e Franco Modigliani, në Massachusetts Institute of Technology (MIT) në Boston, ku do të ketë shok shkolle, presidentin e ardhshëm të Federal Reserve, Ben Bernanke dhe do të marrë masterin nën drejtimin e Stanley Fischer, një ndër bankierët qendrorë më me ndikim të dekadës së kaluar, numri një i Bankës Qendrore të Izraelit dhe më pas në FED.
Numri një i “Ciampi boys”
Në këtë pikë, tashmë i pjekur, Mario rikthehet në Itali, dhe menjëherë në nivelet e larta të politikës ekonomike. Në vitin 1983 emërohet këshilltar i Giovanni Goria, ministër i Thesarit i qeverisë Craxi. Në vitin 1991 merr drejtimin e përgjithshëm të Thesarit, i rekomanduar nga Carlo Azeglio Ciampi, në atë kohë, guvernator i Bankës së Italisë. Që prej asaj kohe, Draghi është ndër njerëzit më brilant ndër “Ciampi boys”, civil servant të cilit i besohen misionet e pamundura.
Nga Banka e Italisë në BQE
Kthimi në Romë nuk ishte më pak i rëndësishëm. Në dhjetor të 2005, Mario Draghi emërohet pasardhësi i Antonio Fazio në Bankën e Italisë, i cili u detyrua të japë dorëheqjen pas çështjes së “Bancopoli”. Në krye të institucionit, Draghi trajton problemin e mprehtë të marrëdhënieve midis bankave dhe industrisë.
Marrëdhëniet e tij me politikën nuk do të jenë lineare. Duke nisur nga polemikat me Giulio Tremonti, atëherë përgjegjës i Thesarit. Por kur do të bëhet fjalë për zgjedhjen e një pasardhësi të Jean-Claude Trichet në BQE, Silvio Berlusconi do të propozojë si alternativë Draghi-n, i cili e paguan atë duke nënshkruar me Trichet një lloj ultimatumi për menaxhimin financiar qe kontribuon në rikthimin e Italisë në fokus, pikërisht si në kohërat e Britanisë. Dhe, paralelisht, vë në rrezik mbijetesën e euros.
“Whatever it takes”
Pikërisht në këtë klimë, më 26 korrik 2012, Mario Draghi thotë të famshmen “Whatever it takes”. Nën drejtimin e Draghi-t, BQE u premton tregjeve gjithçka që është e nevojshme për të garantuar monedhën e vetme. Kjo do të thotë, vendosjen e bankës qendrore në mbrojtje të euros, edhe me koston e sfidimit të mendimit mbizotërues në Gjermani dhe në Europën e Veriut.
Dhe pikërisht këtu, bankieri italian bën mrekullinë: me gjithë sulmet e furishme të establishment (“Bild” do ta quajë atë “mashtrues” për vite me radhë), Draghi, gjithmonë i kthjellët dhe luftarak, por duke mos u dorëzuar kurrë, arrin të ndërtojë në Eurozonë një front më të disponueshëm karshi Jugut, pavarësisht se nga Roma i vjen pak mbështetje. Pak nga pak, për shkak të përkeqësimit të kushteve financiare në vende të ndryshme, Draghi arrin të ndërtojë një front në favor të një politike financiare të butë, mbështetur në lehtësimin sasior, duke nxjerrë mënjanë armikun Jens Weidmann. Misioni u përmbush me sukses, i cili vijoi me Christine Lagarde.
Tashmë është përpara një tjetër sfide, asaj politike, art ne të cilin bankieri që ka studiuar në shkollën e jezuitëve ka shkëlqyer, siç bëri në kohën e tij Ciampi. Draghi, i fshehur, arrin në Palazzo Chigi me lidhje më të forta me politikën sesa duket. Së shpejti do të shihet nëse kjo dhe ndërlidhësit e tjerë do të krijojnë një bashkëjetesë të dobishme në një vend ku duket e pamundur të gjendet një emërues i përbashkët minimal. Por një gjë është e sigurt: nëse nuk ia del ai, italianët do të përfundojnë viktima të vetvetes.
Burimi: Forbes Italia