Disa javë përpara se të ndahej nga jeta, biblotekari dhe studiuesi Willy Kamsi rrëfeu në një bisedë për BIRN përpjekjet e tij për të shpëtuar një sërë antikuaresh e koleksione librash, një pasuri që i mbetet Biblotekës së Universitetit të Shkodrës.
Nga Anila Dushi |BIRN
Kamsi ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan pas rrëzimit të diktaturës u nda nga jeta më 24 janar dhe i njihet merita e shpëtuesit e mbrojtësit të një sërë librash të rrallë dhe njeriu që ngriti e pasuroi Biblotekën e Universitetit të Shkodrës. Pak kohë para se të ndahej nga jeta në moshën 91-vjeçare BIRN pati mundësi të bisedonte me Kamsin për punën e tij në biblotekë.
“Gjithë jetën, ço e ul libra”, tha ai atëherë duke buzëqeshur, ndoshta në intervistën e fundit, prej pak të tillash prej një njeriu që edhe pse fliste katër gjuhë dhe kishte mbajtur një post të rëndësishëm diplomatik e botuar disa libra, jetonte një jetë të përkorë në një shtëpi të kthyer në një raft gjigand librash.
Në fakt sa hyje në shtëpinë ku tani ka mbetur vetëm e motra Mila (Mirjami) e cila ashtu si Willy nuk u martua kurrë, syri të kap menjëherë raftet me libra, tryeza, karrige po ashtu të mbuluara me libra. Libra ka deri në cepin e shkallëve që të çojnë në katin e dytë të banesës, ku siç na tha Mila, ka dy dhoma të tjera po plot me libra.
Willy Kamsi në atë bisedë na tregoi me të qeshur se donte të jetonte më shumë se 100 vjetë saç i uruam. Edhe pse i thyer në moshë ai i kishte bërë plane për të botuar një sërë librash. Ai na tha se kishte dërguar për botim dy libra dhe katër të tjerë i kishte në proces e mendonte t’i përfundonte. Prej ditës së intervistës dhe para se të vdiste Kamsi pa të shtypur një libër me “Vjersha” të Luigj Gurakuqit, botim i dytë, pasi botimin e parë e pati realizuar babai i Willy t në vitin 1940.
Willy Kamsi ishte një humbje e madhe për Shkodrën. Në një reagim të saj Kisha Katolike Dioqeza Shkodër-Pult, me të cilën Willy pati punuar për një sërë studimesh albanalogjike dhe kishtare e cilësoi atë “një arkitekt i fjalës e i pasionit sesi mund të duhet atdheu”. “Shkodrës sot i mungon fryma e një intelektuali të vërtetë, i një diplomati të shquar, një djepi që vetëm Shkodra din ta përkundë”, shkruhej më tej në fjalën e rastit.
Bashkia e Shkodrës po ashtu shprehu ngushëllimet përmes kryetares Voltana Ademi, duke thënë se njeri “i cili dha aq shumë jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, nuk është më mes nesh, por ai jeton në mijëra faqe të lëna si trashëgimi e rrallë për brezat, në fushën e arsimit, etnografisë, bibliografisë, kulturës, diplomacisë, përkthimit etj”.
Kryeministri Edi Rama e përmendi Kamsin në një prej rubrikave të tij Amarcord. “…Në ditën kur u përcoll në banesën e fundit eruditi dhe studiuesi i shquar Willy Kamsi, ambasadori ynë i parë në Vatikan, historia e familjes së të cilit rrok në traditën e saj edhe figurën e arqipeshkvit Pal Engjëlli…”, shkroi Rama në një foto që përkujtonte ditën unitetin e kishave të krishtera.
Willy Kamsi lindi në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926, ku ndodhej dhe familja e tij, dhe më 1943 familjarisht u vendosën në Tiranë. Më 1944, mbaroi gjimnazin po në Tiranë dhe më 1953 u vendos në Shkodër pasi familja e tij u dëbua nga Tirana. Babai i tij Gjon Kamsi, (i njohur dhe me emrin Lin) ishte diplomuar për shkenca ekonomike në Itali në vitet 1914-1919 dhe ka qenë këshilltar i Bankës së Shqipërisë para 1944, ndërsa ka shkruar në disa organe të shtypit të kohës, si “Hylli i Dritës”, “Vullneti i popullit”( revistë ekonomike) i njohur me pseudonimin Gjikam dhe pati ngulitur tek djali i tij Willy dashurinë për librin. Willy bashkëpunoi në fillimet e veta me Filip Fishtën në Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë, ndërsa për 9 vjet punoi në komunale. Prej 1962-1990 ai ishte përgjegjës i bibliotekës së ILP ( Institutit të Lartë Pedagogjik) sot Univeriteti Luigj Gurakuqi në Shkodër.
Kësaj bibloteke dhe librave Kamsi i kushtoi krejt jetën, mbushur me biblografi, lidhje librash gjetje koleksionesh dhe ruajtjen e tyre prej sistemit i cili një pjesë të këtyre librave i shihte si qëndrime armiqësore. “Kemi blerë botime të para vitit 1944, madje dhe libra fetarë që u përkisnin feve të ndryshme si katolike,ortodokse, myslimane, bektashie e protestane. Më thonin përse blihen këto libra, por u përgjigjesha se ato duhen ruajtur në bibliotekë pasi kanë rëndësi për gjuhën dhe studimet e saj, për të parë evolimin e gjuhës”, na tregoi Kamsi. Modest për punën e tij profesori siç i thërrisnin në qytet edhe pse nuk e kishte këtë titull, ja ka dalë në fakt të gjej dhe ruaj antikuare të rralla të librit e periodikëve që kryesisht mbaheshin fshehur për shkak se diktatura mund t’i përdorte ato si material denoncues. Kamsi kujtonte se mjaft prej këtyre librave e koleksioneve ishin vetëm për qarkullim të bredshëm. “Pata botuar dhe një katalog për përdorim të brendshëm pasi nuk lejohej ndryshe. Pengesat kanë qenë të shumta”, kujtonte ai në bisedën për BIRN në një dhomë me mobilje të vjetra, kryesisht të mbuluar me libra.
E megjithatë gjatë viteve që drejtoi bibliotekën e ILP në Shkodër, ai mundi të bëjë një punë kolosale jo vetëm duke futur në fondin e kësaj bibloteke shumë libra me vlerë, por duke bërë dhe sistemimin, katalogimin e përpilimin e një dokumentacioni arkivor mjaft cilësor për secilin prej tyre.
“Kishte familje shkodrane, intelektuale që donin të shisnin librat që kishin në bibliotekat e tyre personale dhe duke patur njohje të shumta në qytet dhe duke e ditur se unë drejtoja si përgjegjës bibliotekën e institutit, pasi emërtimi drejtor nuk ishte në strukturë, vinin dhe më afronin t’i blija. Më së shumti ishin libra të albanolgjisë dhe blerja e tyre bëhej me fonde të ILP”, tregonte Kamsi.
Ai kujtonte se ato kohë nuk kishin qenë të mira për librin dhe Shkodrën. “Pasuria biblotekare e Shkodrës ishte dëmtuar dhe ato që kishin mbetur po merrnin rrugë të tjera. Familjet që shisnin librat tek biblioteka jonë ishin kryesisht familjet katolike që nuk donin të bëheshin publike dhe librat bliheshin me fonde të shtetit. Këtu nuk duhet lënë pa përmendur drejtori i ILP, Mihail Prifti, një person dashamirës ndaj librit, që nuk bëhej pengesë për të blerë botime me vlerë” thekson Willy Kamsi.
Ndër librat më me vlerë të blerë në atë kohë është “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, botim i parë i bërë në Romë në vitet 1507-1510 (data lëviz mes këtyre viteve), është periudha kur botuesi i saj Benardin Divitari ka ndenjur në Romë. “Është botim shumë i rrallë që i ka përkitur biblotekës së jezuitëve e pastaj ka kaluar dorë në dorë deri kur u afrua të shitej. Për fat mbeti në Shkodër”, rrëfeu Kamsi, që kujtonte edhe se libri u ble për 25.000 lekë të vjetra në vitet ‘80.
Willy Kamsi po ashtu është ruajtësi i një tjerër pasurie siç është koleksioni i plotë i revistës “Albania” të Faik Konicës, një koleksion që nuk e ka as Biblioteka Kombëtare. “Çdo bibliotekë krenohet me atë specialitet që ka, me ato libra që nuk i kanë të tjerët. Shkodra ka patur një pasuri biblotekare që nuk e ka pasë asnjë qytet tjetër, sidomos bibliotekat fetare që u shkatërruan qëllimisht”, tregoi Kamsi.
Lidhja e Kamsit me librat vijoi deri në ditën e tij të fundit. Ai i pati thënë BIRN se kishte në dorë një vëllim të të atit me kujtime të viteve 1912-1924 dhe një libër po të babait me studime ekonomike e finaciare. “Këto për këtë vit, pasi kam botues ndërsa vetë nuk pretendoj ndonjë fitim të madh, pasi për mua është i rëndësishëm që libri të botohet dhe jo të mbesë ne rafte. Synimi është të jap e jo të marr” tha ai.