Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili zhvillon sot vizitë zyrtare në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Tirana, Xhaçka dhe Dendias kanë deklaruar se çështja e detit do të shkojë në Gjykatën e Hagës.
Në këtë kontekst, ministri grek Dendias ka bërë thirrje që marrëveshja finale mes dy vendeve të arrihet sa më shpejt me qëllim që të shkohet drejt Hagës për një zgjidhje sipas ligjeve ndërkombëtare.
“Takimi ynë i sotëm integrohet madje dhe në kuadrin e kontakteve konstruktive dhe sot ne kishim mundësinë që të flasim për marrëdhëniet tona dypalëshe. Diskutuam gjithashtu në nivel politik për një çështje shumë të rëndësishme që është përshpejtimi i dialogut në bazë të marrëveshjes që ne kemi pasur këtu në Shqipëri prej 2 vitesh, marrëveshje në parim që të kalojmë në kompromis në mënyrë që të vendosim marrëveshjen speciale për dërgimin e çështjes në Gjykatën e Hagës përsa i përket çështjes së shelfit kontinental. Mendoj se zgjidhja e kësaj çështje dhe e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera që njëra është për shmangien e episodeve në kufi por edhe mirëmbajtja e piramidave kufitare, janë ato që do dërgojnë një mesazh në komunitetin ndërkombëtar, që e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare e detit është ajo që bën bazën për zgjidhjen e të gjitha diferencave ndërshtetërore.
Gjithashtu mendoj se duke bërë një qasje të përgjithshme kjo gjë do hapë kapitull të ri sa i përket raporteve tona reciproke. Ky mesazh është shumë aktual sepse fatkeqësisht kanë bërë shfaqjen e tyre disa anashkalime sa i përket të drejtës ndërkombëtare në pika të ndryshme të planetit, ajo që është më e dukshme është sulmi rus në Ukrainë”, u shpreh Dendias.
Edhe ministrja Xhaçka ishte në të njëjtën linjë, duke kërkuar dhe shfuqizimin e ligjit të luftës nga shteti grek.
“Të një mendjeje se marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë. Kemi mirëkuptim për të kërkuar zgjidhje për çështje të vështira, si shfuqizimi i Ligjit të Luftës apo çështje të karakterit kufitar Kufizimi i zonave detare, vullnet për kompromis për ta referuar çështjen tek GjND. Thellimi i marrëdhënieve ekonomike, komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri faktorë kyç. Marrëveshja për pensionet, diskutuam për fillimin e takimeve në nivel ekspertësh për negocim dhe nënshkrim të marrëveshjes”, u shpreh Xhaçka.
Ndër të tjera, ministri Dendias shprehu sërish mbështetjen e Greqisë për Shqipërinë në integrimin europian dhe theksoi se për vendin tonë, kjo është rrugë me një kalim.
“Greqia ka qenë mbështetës i ngrohtë i këtij integrimi dhe fuqimisht madje, ajo mbështet perspektivën europiane të gjithë Ballkanit Perëndimor, sigurisht në kuadrin e një kushti të drejtë. Këtë mesazh kam përcjellë në Beograd, Prishtinë dhe këtë mesazh ia përcolla dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe do doja të konfirmoja nga këtu përgatitjen tonë që të ofrojmë çdo trajtim integrues për Shqipërinë. Perspektiva europiane e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është rrugë me një kalim”.