Kryesore Xhaçka i përgjigjet homologut grek: Nuk ka vullnet politik që e nxjerr...

Xhaçka i përgjigjet homologut grek: Nuk ka vullnet politik që e nxjerr Belerin nga burgu

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka reaguar ndaj deklaratave të homologut të saj grek, Giorgos Gerapetritis, i cili kërkoi sërish lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Xhaçka nëpërmjet një postimi në median sociale X (ish-Twitter) shkruan se “nuk ka mundësi që miqtë dhe fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë, kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare”.

Sipas saj, organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu.

“Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke”, thekson Xhaçka.

Ajo shprehet se i ka thënë homologut të saj grek, se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek, por nga ligji shqiptar.

“Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëjë betimin si kryebashkiak”.

“Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”, përfundon ajo.

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis, tha sot pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka theksuar se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës.

“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme”.

Sipas tij, të gjithë “ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë”.

“Për çështjen e z.Beleri, dua të thekson se pavarësisht nga çështja e krizës gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu është çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Qartazi kjo është shkelje e prezumimit të pafajësisë, e shtetit ligjor dhe të drejtave të qytetarëve himariotë që e votuan.

Dua të theksoj se veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga z.Beleri nuk ka të bëjë me gjyqësorin në Shqipëri, por është thjesht çështje e vullnetit politik nga ana e qeverisë shqiptare. Për këtë arsye Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi që z.Beleri të betohet si kryetar bashkie dhe të shprehet vullneti i banorëve të Himarës, siç ndodhi në zgjedhjet bashkiake të 14 Majit”, tha ministri i Jashtëm grek.

Fredi Beleri, i cili fitoi Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, ndodhet në paraburgim i akuzuar nga SPAK për blerje votash.