Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se autoritetet diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave të kalimit të emigrantëve drejt shtetit helen. Ajo shprehet se Forcat e Armatosura kanë qenë prezente gjatë natës në Kakavijë për të ofruar ndihmë shëndetësore, ushqimore dhe ujë të pijshëm në terren.
“Forcat e Armatosura e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjienën sanitare në terren”, shkruan ministrja.
Xhaçka shkoi vetë gjatë ditës së djeshme në Kakavijë. Prej disa ditësh radhazi atje vijon të jetë një situatë kaotike ku mijëra qytetarë shqiptarë qëndrojnë në radhë për të pritur kalimin drejt shtetit helen. Situata u agravua pasi ishin të shumtë qytetarët që vendosën të shkonin në Greqi për të shmangur kaarantinimin 7-ditor që shteti fqinj ka vendosur për shkak të pandemisë.