Në një botë të mbushur me zhvillime politike, së paku Gjermania, nuk do ta ketë më një shqetësim të përhershëm, siç e ka patur së paku 16 vitet e fundit: kostumin burrëror ndonëse me ngjyra të ndryshme, të kancelares Angela Merkel.
“Për një burrë, të veshë një kostum blu të errët për 100 ditë rresht nuk është aspak problem por nëse unë vesh të njëjtin kostum, 4 herë në 2 javë, qytetarët nisin e më shkruajnë”, tha Merkel për revistën “Zeit”.
Për 16 vite, Merkel u takua me qindra liderë globalë, mijëra qytetarë, mori pjesë në seanca parlamentare dhe takime zyrtare: kudo me të njëjtën veshje: Xhaketa të mençura, të përzgjedhura me kujdes në detaje, sidomos në ngjyrë, pantallona të zeza apo blu të errët, të gjitha të së njëjtës prerje.
Por në shumë pak raste, që vendosi të ndryshojë stil e ti përshtatet aktivitetit ku do të merrte pjesë, gruaja e hekurt e Gjermanisë, ra në sy, për elegancën në veshje, ndonëse përsëri i qëndroi besnike të thjeshtës, në stil e ngjyra.
“Tani ajo mund të qetësohet dhe të jetë një vajzë e thjeshtë, të veshë ç’të dojë. Tani mund të jetë e lirë, pra të vishet si një grua dhe vajzë e rritur”, u shpreh Guido Maria Kretschmer, stilist gjerman.
Stilistët e vlerësojnë stilin e kancelares në gati 2 dekada në politikë por tani ata thonë se 67-vjeçarja është e lirë të veshë gjithçka, madje edhe bizhu, që ndër vite, në portretin e saj kanë munguar.
“Çfarë mund të veshë tjetër, ndryshe? Looku i saj ka qenë i kushtëzuar sepse ka qenë gjithnjë e rrethuar nga meshkujt por a duhet të vishte gjithnjë kostume? Mendoj se ka qenë shumë mirë, në mënyrën e saj. Tani mund të vendosë një palë vëthë, të heqë dorë nga kostumet e të dalë edhe nga natyra, nëse do. Tani është koha që ajo të provojë çfarë të dojë. Por për këto 16 vjet, kostumi ishte look-u i duhur si kancelarë.”
Merkel është shndërruar ndër vite në frymëzim, për qindra gra, në Gjermani e Europë, pse jo edhe në stilin e veshjes, si për të treguar se një grua, mund të jetë e barabartë me një burrë, qoftë edhe burrë shteti, në shoqëri, punë e politikë, edhe falë një xhakete.