Extra Xhemi Shehu tregon arsyet e ikjes nga “Portokallia” dhe thotë se “e...

Xhemi Shehu tregon arsyet e ikjes nga “Portokallia” dhe thotë se “e ka mbyllur me televizionin”

FOTO NGA ENDRIT MËRTITI PËR REVISTËN WHO

Në një intervistë ekskluzive për revistën Who, Xhemi Shehu flet për tërheqjen nga televizoni, eksperiencën në “Portokalli”, miqtë dhe familjen.

Lidhur me këtë të parën, ajo thotë se “nuk e kthen më asgjë në televizion, përveç ndonjë çudie shumë të madhe”.

Nga gjithë projektet e saj, Xhemi zgjedh Portokallinë, si programin më të dashur për të.

“Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi. I kam bërë se duheshin, por jo nga pasioni apo dëshira. I bëja, sepse doja të rikthehesha në ‘Portokalli’”.

Kështu, u rikthye për 5 vite, si prezantuese, por edhe si aktore në disa role, derisa nuk po merrte të njëjtën kënaqësi.

“Prandaj dhe u tërhoqa nga “Portokallia” sepse s’po merrja më kënaqësi, dhe prandaj po them duhet të ndodhë ndonjë çudi që unë të rikthehem prapë, gjithmonë në një format të ngjashëm me ‘Portokallinë’. Nuk kam fare ambicien që të bëj programe të tjera”.

Ajo shton: “Kështu që me shumë gjasa i bie që unë jam tërhequr dhe e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin, sepse nuk është se mendoj se do bëhet diçka po aq e mirë sesa “Portokallia” dikur, sepse kjo që po shohim tani nuk mendoj se është maksimumi i atij spektakli. Ose mbase dhe është ezauruar dhe me kohën… Nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk më tërheq më”.

Pyetur nëse e ndjek më programin, tani që nuk është më pjesë e tij, ajo përgjigjet: “Të dielën e parë, po, po e pashë, pastaj të dytën nuk e shtyva dot, e lashë përgjysmë, por jo se nuk isha unë. Mendoj se i mungonte regjisori atij programi.”

Xhemi flet për raportin me aktorët dhe Enedën

Xhemi Shehu u shfaq fillimisht në “Portokalli”, në vitin 2006, së bashku me Amarda Toskën dhe Agron Llakajn dhe qëndroi aty për një sezon.

Më pas, u rikthye në mars të 2015-ës, dy muaj pasi kishte lindur Gabrielin, djalin e dytë.

Për një kohë, treshja Xhemi, Eneda, Salsano, e ndanin skenën bashkë.

Duke qenë se mes saj dhe Salsanos është vënë re gjithnjë një kimi skenike, Xhemi e pohon këtë për revistën WHO: “Po, është e vërtetë, kam pasur kimi me Salsanon, veçse s’mund të them që në javët e para. Por u lidha më shumë pasi iku dhe Eneda për në Eurovizion. Atëherë patëm më shumë mundësi që të punonim me njëri-tjetrin dhe u bëmë shokë të ngushtë”.

Pyetur për marrëdhënien me Enedën, ajo thotë se “ka tentuar të jetë shoqe, por s’ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”.

Xhemi flet dhe për miqësitë e tjera që ka krijuar në Portokalli.

“Shkoj shumë mirë me Salsanon, me Gazin, me Ledion. Tani unë mirë shkoj me të gjithë, që të kuptohemi, por me këta pak më shumë. Pastaj dhe me Albana Perhatin, Algionën edhe me Flor Binajn, me të cilin kam pasur më tepër marrëdhënie kur kam qenë në sezonin e parë fare. E njoh më përpara se Gazin, se Salsanon, por tani nuk është se bëhemi shumë”, thotë ajo për WHO.

Për të lexuar intervistën e plotë, klikoni këtu.