Kohët e fundit në qytetin e Xheninit, në zonat e administruara nga palestinezët është rritur dhuna.
Xhenini është një qytet palestinez në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Qyteti është nën administrimin e Autoritetit Palestinez. Pushtimi i vazhdueshëm i Izraelit në Bregun Perëndimor konsiderohet gjerësisht një shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
Kampi i refugjatëve Xhenin, ku ushtria izraelite nisi më 03. korrik 2023 një sulm, si pasojë e të cilit u vranë nëntë veta, është një nga pjesët më të populluara të qytetit. U krijua në fillim të viteve 1950 për të strehuar palestinezët që ikën ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre, kryesisht nga pjesa veriore e Bregut Perëndimor, përpara, gjatë dhe pas luftës izraelito-arabe në vitin 1948. Palestinezët e quajnë këtë periudhe “Nakba” (katastrofa).
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967. Palestinezët i konsiderojnë Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Gazën si pjesë integrale të një shteti të ardhshëm të pavarur palestinez. Megjithatë bisedat për paqen kanë ngrirë për së paku një dekadë.
Cilët janë grupet militante që besohet se janë aktive në këtë zonë?
Izraeli pretendon se kampi i refugjatëve në Xhenin është një terren operativ për luftëtarët e armatosur grupesh të ndryshme militante, siç janë krahu i armatosur i Hamasit, brigadat Izz ad-Din Kasam, Xhihadi Islamik Palestinez dhe rrjeti i Brigadave të Martirëve Al Aqsa të lidhura me Fatahun. Të armatosura me një sërë armësh, këto grupe janë përcaktuar nga BE dhe SHBA si organizata terroriste.
Së fundmi në Bregun Perëndimor kanë nisur të shfaqen disa grupe më të reja, si “Strofulla e Luanit” në Nablus ose, e ashtuquajtura “Brigada Xhenin,” e themeluar kohët e fundit nga një anëtar i Xhihadit Islamik Palestinez. Ky grup thuhet se përfshin anëtarë grupimesh të ndryshme dhe nuk ndjek agjendën e ndonjë fraksioni të caktuar.
Grupe më të vogla si Strofulla e Luanit ndonjëherë nuk kanë struktura formale, ato kanë lidhje me grupe militante të qëndrueshme dhe përbëhen kryesisht nga të rinj palestinezë që shpesh nuk shohin rrugëdalje tjetër nga pushtimi ushtarak i Izraelit, dhe që janë të zhgënjyer me udhëheqjen politike palestineze.
Pse Xhenini është në shënjestër të sulmeve?
Ofensivat izraelite dhe bastisjet e përditshme në Bregun Perëndimor të pushtuar nuk janë asgjë e re, por ato janë intensifikuar që nga viti i kaluar, pas një serie sulmesh vdekjeprurëse nga palestinezët kundër izraelitëve në Izrael dhe Bregun Perëndimor.
Vitin e kaluar, gazetarja e mirënjohur palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, e cili punonte për kanalin arab Al Jazeera, u vra me armë zjarri teksa mbulonte si gazetare një bastisje të ushtrisë izraelite pranë kampit të refugjatëve Xhenin. Në një hetim të mëvonshëm ushtria izraelite deklaroi se sipas “shumë gjasash” gazetarja ishte vrarë nga një ushtar i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), kur ai qëlloi mbi persona të dyshuar dhe identifikuar si palestinezë të armatosur.
Dy javë më parë gjatë një bastisjeje në Xhenin u vranë të paktën shtatë palestinezë, mes të cilëve militantë dhe civilë. Një ditë më vonë, persona të armatosur palestinezë vranë katër izraelitë pranë vendbanimit izraelit Eli në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo u pasua nga një seri përleshjesh të dhunshme të kolonëve izraelitë në qytetet dhe fshatrat palestineze. Më pas Izraeli miratoi planet për ndërtimin e mijëra shtëpive të reja në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat sipas të Drejtës Ndërkombëtare janë të paligjshme.
Sipas një raporti të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, forcat izraelite kanë vrarë në Jordanin Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor 147 palestinezë, ndërsa në të njëjtën periudhë kohore janë vrarë 23 izraelitë.
Çfarë thonë Izraeli dhe palestinezët për ngjarjet e fundit?
Ushtria izraelite filloi operacionin më të fundit të hënën në mëngjes me një sulm ajror mbi një ndërtesë të cilën e përshkroi si një “qendër komande” që thuhet se përdoret nga militantët palestinezë për planifikimin e sulmeve. Ushtria e përshkroi veprimin e saj si një operacion “kundër terrorizmit” që ka për qëllim kapjen e armëve dhe thyerjen e “strehës së sigurtë të kampit” për militantët që veprojnë atje.
Bastisja ndodhi mes presionit të brendshëm në rritje nga anëtarët e qeverisë ekstremiste të djathtë të Izraelit për një përgjigje të ashpër ndaj serisë së fundit të sulmeve. Zyrtarët palestinezë në Ramallah e kanë dënuar ashpër dhunën dhe kanë bërë thirrje për mbrojtje ndërkombëtare. Shumë palestinezëve ky operacion u kujtoi operacionin “Mburoja mbrojtëse” të cilin Izraeli e kreu në Xhenin në prill të vitit 2002. Në atë kohë dhe pas një serie sulmesh palestineze në Izrael gjatë Intifadës së Dytë (“Kryengritja”), forcat izraelite bastisën kampin gjatë një operacioni që asokohe konsiderohej si një nga operacionet më të mëdha ushtarake ndër vite në Bregun Perëndimor.
Ndërsa ushtria izraelite tha të hënën (03.07) se do të bënte përpjekje për të parandaluar dëmtimin e popullsisë civile vendase. Përgjigjet e para palestineze dhe grupet e të drejtave të njeriut e përshkruajnë gjendjen në kampin e refugjatëve me popullsi të dendur si jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshme./DW