Extra Xhensila i rrëfen të gjitha: Si u ndava nga Besi, prapaskenat e...

Xhensila i rrëfen të gjitha: Si u ndava nga Besi, prapaskenat e divorcit

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka treguar për herë të parë anën e saj të historisë lidhur me divorcin nga aktori Bes Kallaku.

Në një rrëfim përballë moderatores Arbana Osmani në emisionin “Mirëmbrëma yje”, Xhensila shprehu se ndarja ishte një vendim i marrë nga vetë ajo.

Këngëtarja theksoi se prej disa kohësh dyshja kishin tentuar të kalonin ‘krizat’ mes tyre për të bërë martesën të funksionojë, por shtoi se fjalët nuk përputheshin me vepra.

Le të themi se, mes rreshtave, ajo la të kuptohej se përkushtimi nuk ishte i dyanshëm, ndaj dhe marrëdhënia (që sipas Xhensilës u kthye vetëm dhënie pa marrë asgjë), dështoi.

“Ka disa vite që ishim përpjekur të sistemonim pakënaqësitë në martesën tonë me dëshirën për të mos i dhënë fund. Por kriza ka gjithmonë në çift. Ne nuk e kishim ndarë akoma nëse donim të ishim ndarë apo bashkë. Por mendoj se në çdo marrëdhënie kur veprat me fjalët nuk kanë shumë përputhshmëri, kur në marrëdhënie ka debate, bëhet toksike. Bëhet e dëmshme për mua, fëmijët, edhe për të. Kështu unë mora vendimin për t’u ndarë. Në çift duhet bashkëpunim, duhet punë nga dy partnerët. Kam kuptuar që nuk duhet të luftojë veç njëra palë, por nga të dyja. Ishte një vendim i marrë nga unë. Më duhej mua ta bëja si hap pasi nuk shihja asnjë mundësi tjetër. Nuk është i lehtë divorci. Disa hapa sado e vështirë të jetë, duhet gjetur guximi për t’i marrë. Unë e gjeta forcën te fëmijët e mi, sepse doja që në të ardhmen fëmijët të kishin qetësi”, shprehu ajo.

Më tej, Xhensila shpjegoi se ka zgjedhur të heshtë për shkak të fëmijëve, por kjo i ka kushtuar shumë.

“Shumë barrë kam marrë mbi supe. Çfarë nuk është thënë për mua, çfarë nuk kam lexuar. Por unë nuk e ndryshoj dot botën, nuk e ndryshoj dot mendësinë e tyre”, tha ajo.

Ndërsa Arbana solli në vëmendje se pala tjetër nuk ka bërë të njëjtën gjë, referuar këngës “Mosmirënjohja”, Xhensila theksoi se ajo ishte një lëvizje e zgjuar për të tërhequr vëmendjen.

Ndonëse theksoi se në asnjë moment nuk e ndjeu të ishte dedikim për të, pasi kënga nuk e përshkruante situatën mes tyre, Xhensila theksoi se refuzon të besojë se Besi ka zgjedhur të bëjë një këngë të tillë për të “sulmuar” nënën e fëmijëve të tij.

Mbi të gjitha, ajo theksoi se vendimin e mori për të “mbrojtur” dy fëmijët e saj nga një ambient jo i shëndetshëm familjaren, ndaj dhe paqen e gjen pikërisht tek ata. Siç ajo theksoi, ishin fëmijët, muzika dhe besimi në Zot që e ndihmuan të kalonte këtë periudhë sfiduese në shumë drejtime.