Bota Xi Jinping dhe Justin Trudeau, çfarë fshihet pas “shpërthimit” publik të presidentit...

Xi Jinping dhe Justin Trudeau, çfarë fshihet pas “shpërthimit” publik të presidentit kinez

Nga Guido Santevecchi- Korrespondent i “Corriere della Sera” në Pekin

Pas më shumë se 1 mijë ditësh distancim social për shkak të pandemisë (e cila nënvizoi gjithashtu mbylljen politike të Kinës ndaj botës perëndimore), Xi Jinping i është rikthyer dialogut ballë për ballë dhe pragmatizmit.

Politologët vërejnë se për G20 ai mori pjesë në mbrëmjen gala pa maskë, i veshur me një këmishë balinese sipas ritualit të këtyre samiteve.

Në tre ditët në Bali, ai mori dhe ekspozoi shtrëngime të ngrohta duarsh, një përkëdhelje pas shpine dhe mbi tre orë ballë për ballë me Joe Biden. Lehtësim për ata që kanë frikë nga një luftë e re e ftohtë dhe një injeksion i mirë optimizmi për bursat botërore.

Më pas ai u dha takime dypalëshe udhëheqësve të vendeve strategjike: Australisë, Francës, Italisë, Holandës, Spanjës, Koresë së Jugut. Me të gjithë, premtime për dialog dhe bashkëpunim ekonomik. Për Giorgia Melonin edhe një ftesë për të vizituar Pekinin.

Turneu i kthimit të madh të Xi në skenën botërore pas Bali-t vazhdon në Bangkok për samitin e APEC (Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor). Këtu është planifikuar një bisedë e rëndësishme me kryeministrin japonez Fumio Kishida.

Analistët vërejnë se ka një ndryshim të dukshëm të tonit në politikën e jashtme kineze: Xi nuk dëshiron të ndjekë mikun e tij Putin në marshimin drejt izolimit ndërkombëtar.

Por performanca e Xi në skenën e G20 nuk ishte e gjitha buzëqeshje. Dje TV kanadez kapi një shpërthim të stuhishëm në të cilin lideri kinez akuzoi kryeministrin Justin Trudeau se iu kishte kaluar “gazetave çështjet e diskutuara” në bisedimet e tyre dypalëshe.

Të martën, të dy kishin biseduar për rreth dhjetë minuta në një dhomë të mbushur me pjesëmarrës të samitit. “Gjithçka iu dha shtypit dhe në terma të papërshtatshëm, takimi ynë nuk shkoi kështu”, i tha Xi Trudeau-it në Mandarin, duke kundërshtuar rrjedhjen e informacioneve me një shprehje zhgënjyese të rëndë.

Një diplomat kinez përktheu njëkohësisht dhe kryeministri kanadez dukej i impresionuar. Në përgjigje, ai uli kokën dhe tha: “Në Kanada besojmë në një dialog të lirë, të hapur dhe të sinqertë që do të vazhdojmë ta kemi, por do të ketë gjëra për të cilat nuk biem dakord…”.

Xi e ndërpreu duke ngritur e ulur duart për të theksuar mesazhin: “Atëherë krijoni kushtet, krijoni kushtet, përndryshe është e kotë të komunikosh”.

Xi ishte i vetëdijshëm se shfryrja e tij po kapej nga kamerat.

Dhe ai e dinte edhe se shtypi i huaj, i armatosur me kamera dhe videokamera, ishte futur në Kongresin Komunist në Pekin në tetor, kur ai kishte nxjerrë nga salla ish-presidentin Hu Jintao, i cili ndoshta nuk ishte dakord me linjën e tij.

Në atë rast tronditës për një parti të mësuar të respektonte udhëheqësit e saj të moshuar në pension, Xi mbajti një distancë të akullt.

Një nga dy gjërat po ndodh: ose izolimi shumë zgjatur gjatë pandemisë e ka bërë atë të pamësuar me rreziqet e vëzhgimit të lëvizjeve të tij, ose këto dalje po luajnë lojën e tij. Ato janë krijuar për të dërguar sinjale ashpërsie te shokët e tij kinezë dhe kundërshtarët perëndimorë.

David Mulroney, ish-ambasador kanadez në Kinë nuk ka dyshime. Sipas tij “Xi e paramendoi qortimin dhe donte që ai të ishte publik. Luajti rolin e mësuesit para nxënësit”. Si përfundim Xi Jinping me sa duket ka hequr maskën e tij anti-Covid, por përdor kamerat e fshehta për të projektuar forcën e tij perandorake.

Po pse Xi humbi durimin në Bali?

Në veçanti, shtypi kanadez u informua se Trudeau në një takim të shkurtër vetëm për vetëm të martën ngriti “me shqetësim të madh çështjen e ndërhyrjes kineze në politikën e brendshme kanadeze”.

Pekini sigurisht mohoi rrethanën që ka krijuar mjaft bujë në Otawa. Mediat kanadeze kanë raportuar për një rrjet të fshehtë që dyshohet se mbështeti dhe financoi kandidatët politikë pro-kinezë në zgjedhje.

Marrëdhëniet midis Otawës dhe Pekinit janë përkeqësuar që nga viti 2018, kur policia kanadeze arrestoi Meng Wanzhou, vajzën e themeluesit të Huawei-t, në aeroportin e Vankuverit, me kërkesë të drejtësisë amerikane.

Si hakmarrje, Kina burgosi ​​dy shtetas kanadezë me akuza për spiunazh. Çështja përfundoi me lirimin e të treve, por tensioni mbeti dhe Huawei u përjashtua nga infrastruktura 5G në Kanada për arsye të sigurisë kombëtare.