Greqia ka të ngjarë të jetë më e goditura në ekonomi për shkak të pandemisë është shprehur ish-ministri i financave të vendit, Yanis Varoufakis për “Euronews”.
Greqia mbylli shkollat dhe vendosi kufizime për qytetarët e saj nga mesi i marsit, dhe bllokimi i saj në mbarë vendin u shty gjer më 4 maj. Vendi deri më tani ka raportuar pak më shumë se 2 400 raste të COVID-19 dhe 121 vdekje, dhe ish-kryeministri George Papandreou tha se Greqia është bërë një shembull për shumë shtete të tjera evropiane.
“Ne kemi pasur një sukses të madh (…) në mbajtjen në shifra të ulëta të numrit të vdekjeve. Greqia ka bërë një punë të mirë në përballimin e koronavirusit, por ka të ngjarë të jetë më e goditura nga ndikimi ekonomik i pandemisë. Kam shumë frikë se Greqia do të ketë numrin më të madh të njerëzve që vdesin nga uria si rezultat i dimensionit ekonomik të kësaj pandemie. Vendi nuk u shërua kurrë nga kriza financiare e 2009-ës”, tha Varoufakis.
Pas vitesh shtrëngimi, recesioni dhe stanjacioni, ekonomia greke, sidoqoftë, po tregonte shenja rritjeje para se të goditej kriza e koronavirusit.
Sipas parashikimeve të fundit të FMN-së, GDP-ja e Greqisë tani pritet të bjerë me 10 përqind këtë vit. Kjo do ta bënte ekonominë greke më të goditurën në të gjithë Eurozonën.
“Biznesi nuk mund të jetë si zakonisht pas bllokimit. Bankat nuk duhet të vazhdojnë të shesin kredi me probleme, duke i vënë pronarët e shtëpive në rrezik, veçanërisht pasi njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë brenda shtëpive për javë të tëra për të parandaluar përhapjen e COVID-19”, paralajmëroi Varoufakis, i cili tani është drejtuesi i partisë së majtë greke MeRA25.
E gjitha varet nga Evropa
“Zgjidhja për këtë krizë varet nga Bashkimi Evropian”, tha Varoufakis, i cili foli vetëm disa orë para se liderët e BE-së të mbanin samitin me videokonferencë për të diskutuar financimin e bllokut.
“Kam shumë frikë se do të jetë një dështim i dukshëm nga udhëheqësit tanë për të bërë atë që është e drejtë jo për Greqinë, por për Evropën në tërësi. Ata po sillen si në vitin 2010 (…) Ata e trajtuan atëherë krizën sikur të ishte një krizë e likuiditetit kur në fakt ishte një krizë falimentimi. Dhe po bëjnë të njëjtën gjë në nivel evropian tani”, tha ai.
Komisioni Evropian ka sugjeruar huazimin kundër sigurisë së buxhetit të BE-së dhe dhënien e huave të lira për qeveritë kombëtare për t’i ndihmuar në rregullimin e krizës. Por kjo ngre çështjen e kredive, të cilat përfundimisht do të duhet të shlyhen, ndërkohë që grantet s’do mund ta bëjnë.
“Çdo miliard ose triliard i përmendur është një kredi, Gjëja e fundit që bizneset në Gjermani, Itali, Francë, Greqi kanë nevojë tani janë kreditë. Bankës Evropiane të Investimeve mund t’i jepet drita jeshile për të financuar një program të madh investimesh prej 600 miliardë eurosh të mbështetur nga Banka Qendrore Evropiane. Banka Qendrore Evropiane mund të lëshojë eurobonot e veta në emër të tërë zonës së euros, duke vënë më shumë borxhe që supet e shtetit italian, spanjoll e grek nuk i mbajnë dot”, tha Varoufakis.