Requiem-homazh për poetin dhe publicistin e njohur korçar Ylber Merdani
Nga Raimonda Moisiu
I trishtë lajmi i ndarjes nga jeta i Poetit e Publicistit të njohur korçar Ylber Merdani, ndjejmë trishtimin, boshllëkun dhe mungesën që na lë në zemër e shpirt, gjithmonë humbje e një personaliteti intelektual, kombëtar e historike për kombin, letrat shqipe dhe shoqërinë shqiptare. Unë kam pasur fatin e lumtur, se me poetin Ylber Merdani, më lidh miqësia e hershme, prej fëmijërisë sonë, e në vazhdim, lindur dhe rritur në lagjen e; “Mirahorit të Madh”, në lagjen e Merdanëve, e Tuxharëve, e bejlerëve Mytevelinj, e Tabakëve etj, një nga lagjet autoktone të aristokracisë myslimane. Poeti dhe publicisti Ylber Merdani ka lindur në qytetin e Korçës, në një familje autoktone qytetare, nga aristokracia myslimane më e hershme e këtij qyteti dhe në një nga ato “Familjet e Mëdha Shqiptare”, sikundër është edhe familja “Merdani”. Në historinë e Shqipërisë, familja “Merdani”, ka qenë me një influencë jo vetëm brenda qarkut të Korçës, e vendit, por edhe më tej, ne Ballkan. Edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull – jemi gati në mbarim të çerek shekullit të njëzetenjëtë, por akoma edhe sot në memorien e kombit, në memorien e brezave të ardhshëm të Korçës tonë ndihen: forca, karizma, shpirti filantropik e intelektual, humanizmi, njeriu arsimdashës, atdhetar e influenca e familjes Merdani. Brezat e ardhshëm të Korçës sonë, përpiqen të adaptojnë nga aureola e kësaj familjeje fisnike dhe bashkëkohësit e fisit “Merdani” shprehen me dhimbje duke thënë se: kjo familje u përndoq dhe u persekutua pa asnjë shkak.
Regjimi komunist influencën dhe fisnikërinë e kësaj familjeje autoktone korçare e shihte si një kërcënim demokratik, për sistemin e tyre të urryer. Përveç burgosjes të burrave të fisit Merdani, që nga tregetarët e grosistët e kësaj familjeje, deri te këngëtari i talentuar, artisti i kombit, Sherif Merdani, poeti e publicisti Ylber Merdani, pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje të madhe ju nënshtruan kalvarit të tmerrshëm të persekutimeve, vuajtjeve dhe dhimbjeve, edhe në internim, për 24 vjet. Sa herë vija në Korcë, takimin e parë do e kisha me mikun tim, poetin e publicistin, Ylber Merdani, të vuajturin në burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste dhe në internim, një prej zërave që nuk heshtën për krimet e diktaturës. Aty ulur aty nën hijen e një bliri, në oborrin e Bar Restorant; ”Sofra Voskopojare”, nën shoqërinë e me poeteshës Zhaneta Tuxhari, kompozitorin e serenatave Nonda Kajno dhe editorin e Korcaneës., publicistin korçar Erget Cenolli, etj. Ashtu i pakët në trup, me thinjat mbi krye, fliste me humorin e hollë, ironik, sarkastik, dhe kur fliste për dashurinë çdo tipar i fytyrës së tij qeshte, kënaqej dhe nga shpirti i tij lirik dilte vargu klasik i poezive të tij që është edhe aristokracia e poezive.
Ndjej një emocion të veçantë teksa po shkruaj këtë requem për një burrë plot virtyte, mik, koleg, bashkëshort shembullor dhe një artdashës i çmuar, si Poeti dhe Publicisti Ylber Merdani. Ende ruaj në kujtesë, rrëfimin e tij në një intervsitë kam zhvilluar me të, të cilën që në fjalët para shprehte fatin fatal e të pamohueshëm të bashkëvuajtësve, një rrëfim tragjik, përpos gjithë atij kalvari dhimbjesh e vuajtjesh, deri në humbje jete, sakrifica, që poeti dhe publicisti Ylber Merdani dhe bashkëkohasit e tij, përjetuan në burgjet e diktaturës. I thinjur, me syze, disi i mpakur në trup, por energjik, optimist i qeshur e plot humor, herë sarkastik dhe herë gazmor, altruist dhe me shpresë tek ardhmja, Ylberi të jepte përshtypjen e një personazhi që jetoi njëherazi mes së vërtetës historike dhe hipokrizisë së kohës, mes tragjikes dhe dhimbjes, mes atyre personazheve “ ish – heronj”, që nuk kanë të krahasuar, e i shkatërruan ëndërrat dhe u munduan të përdhosnin nderin e familjes Merdani! Por ja vjen një ditë e ndërrojnë kohët, rolet dhe personazhet. Ndërrojnë vërtet! “Ish- heronjtë” zveniten, ushton klithma e zërit të të parëve, klithmë për nderin e rilindjen e një shpirti të lirë. Nuk është më iluzion, se jeta tashmë ka ndryshuar, janë kilthma të një tragjedie historike, biles, as që mund të perceptohen – thoshte poeti Ylber Merdani, – nga brezat e ardhshëm. Ai botoi një studim publicstik mbi krimet e komunizmit ndaj inteligjencës përparimtare të kohës, ishte zëri i parë popullor, për të kuptuar jetën, ekzistencën, bashkëjetesën e të mirës me të keqen, të dhimbjes me vuajtjen, të së vërtetës me krimin, libri që na rrëfeu, se cilët kemi qënë e cilët jemi në të vërtetë. Në atë rrëfim shpesh, sytë e poetit përloteshin, porse “rrezatimi i atyre lotëve” – është margaritar në sytë e një burri”- shprehej Ylberi. Që do të thotë se edhe në fatkeqësi, në dhimbje e gëzim, nën trysninë e realitetit tjetërsohesh e ndërgjegjësohesh, për të hedhur në letër, emocionin, plagën që ti mendon se ka zënë kore, për të dhënë mesazhin ndryshe të përjetësimit e nderimit të veprës së tyre. Ylber Merdani, poezinë e donte si fëmijën e tij, e kishte “dashurinë e tij të përjetshme”;
“Sonte s’dua dimër dua maj, / Tani natën le të shkrepë dielli, / Kam dy buzët, kam dy sytë e saj, / Sonte kam këta dy yje qielli.
Sonte dertet, brengat i përzura, / Sonte jam i joti, -Dashuri. / Le të tallet dhe hëna me mua, / “Cilimi, i shkreti cilimi.”
Ndërsa lexoja poezitë e poetit Ylber Merdani, vura re se fjalori poetik i tij me një larmi të gjetura shprehjesh gjuhësore e metaforash, shkruar në vitet e dhimbjes e të mbijetesës, brenda një fshati të vogël, i internuar, i vetmuar, në Shtyllë të Vithkuqit, -apo- brenda mureve të burgut të Spacit. Poezitë e tij janë të mrekullueshme, meditative, mjeshtër i ironisë e sarkazmës, i humorit dhe batutave, i dhimbjes e trishtimit, mallit e dashurisë, me një stil elegant e elokuent në varësi të rrethanave fizike e shpirtërore që e ka shkruar poezinë.Duke përfshirë edhe poezinë;”Rikthim në Korcë pas 24 vitesh”, përshkrimi i shmbëlltyrës letrare, eleganca e vargjeve dhe fisnikëria e zërit të tij poetik mbesin të pazvëndësueshme.Pesha e historisë qëndron e mbushur me dhimbje, sakrifica, vuajtje, dëshpërim dhe i pashpresë në Korcë, aty ku ka rrënjët e tij.
“Pa kisha dhe prindër, pa kisha shtëpi, / nga shokët askush s’paska mbetur./ Kaloj kësaj rruge si i huaj tani,/ I thinjur, i kërrusur, kockë tretur./ Me mijra mendime, kujtime në kokë,/ Pengohem, rrëzohem përdhe. / “U vrave o bir?” -një zë më thotë, / është zëri yt mëmëdhe!
Apo te vargjet e para të po kësaj poezie kur thotë: “Dikur kësaj rruge, kaloja i qetë, / Dhe kollë nuk kisha aspak. / Po kisha ca shpresa, ca ëndrra në jetë, / Pa kisha dhe miken zambak.”
Vargje lirike që analizojnë deri në imtësi të vërtetën e një ekzistence të fragmentizuara me sqimë intelektuale, me forcën e dhimbjes e të dashurisë njerëzore. Në një poezi të tillë lirike Poeti Ylber Merdani na jep dhimbjen që ka kaluar nëpër rrotat e historisë. E në ditën e ikjes së Poetit e Publicistit të njohur korcar, Ylber Merdani kemi aq shumë për të treguar, kujtime që përzier me trishtimin tonë, janë; mirënjohja dhe vlerësimi. Mirënjohje, që jeta na ofroi të ishim pjesë e orbitës së mençurisë dhe erudicionit të tij intelektual, qytetar e krijues, duke qenë nga njerëzit e panumërt që mësuam shumë më tepër prej personalitetit, dhe dritës së veprës dhe kontributit të çmuar që la pa.
Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të çmuar, Ylber Merdani, hija e veprës së tij do të malit shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.
U prehsh në paqe Ylberi ynë i mrekullueshëm, Poeti i Dhimbjes e Dashurisë!
Qofsh i paharruar! Engjëjt të këndofshin në çdo agim!
Raimonda MOISIU
Author/ Freelancer,
Florida/SHBA