Raphael Dias Belloli, i njohur ndryshe si Raphinha, është një nga blerjet e reja të Barcelonës në merkaton e kësaj vere.
Braziliani është përshtatur shumë mirë me ekipin e ri dhe ka zënë vend në formacionin titullar, duke luajtur si sulmues krahu.
Por, për të arritur deri në këtë pikë, Raphinha ka vuajtur shumë, siç tregon vetë në një intervistë për UOL Esporte.
“Pas stërvitjes, kur isha 12-14 vjeç, ndaloja në rrugë dhe i kërkoja njerëzve që të më blinin diçka për të ngrënë. Më duhej të prisja autobusin dhe derisa të shkoja në shtëpi, kalonin shumë orë. Isha shumë i uritur dhe prandaj lypja”, rrëfen 25-vjeçari.
Më tej, ai tregon edhe se në adoleshencë rrezikoi të merrte rrugën e gabuar: “Në lagjen ku jam rritur unë, kam pasur mundësi që të fitoja para shumë lehtë. Nëse e nis atë rrugë, nuk kthehesh më pas. Unë kam humbur shumë miq që u futën në botën e krimit dhe trafikut të drogës. Po flas për djem që në futboll ishin shumë më të mirë se unë, që sot mund të luanin për ekipe të mëdha”.