Mëngjesin e sotëm është zhvilluar ceremonia e vendosjes së yllit për Saimir Hoxhën në memorialin e policëve të rënë në krye të detyrës. Të pranishëm ishin familjarë, kolegë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit tha se familjes dhe fëmijëve të Hoxhës nuk do t’i mungojë mbështetja nga shteti. Ai bëri me dije se familjes i është akorduar një ndihmë prej 50 milionë lekësh, ndërsa fëmijët do të përfitojnë 170% të pagës së babait të tyre derisa të përfundojnë studimet e larta.
Ndërsa vlerësoi efektivin e rënë, kryeministri tha se shiu i rrëmbyshëm i thotë të gjithë përjetimet në këto momente të vështira. Saimir Hoxha u shpall “Dëshmor i Atdheut”, pasi ra në krye të detyrës.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës në Ishull Lezhë, ku 21-vjeçari Aldi Rama qëlloi për vdekje efektivin, pasi ky i fundit i kërkoi dokumentat e identifikimit.
Hoxha ishte pjesë e një grupi patrullimi që kishin dalë në terren për një operacion anti-kanabis. Pasi qëndroi i fshehur për disa orë dhe teksa ishte lokalizuar nga policia, Aldi Rama vrau dhe veten.
“Sot do të vendosim yllin e Saimirit në murin e kujtesës së policisë së shtetit, pranë yjeve të të gjithë trupave tona që kanë humbur jetën. Është një kohë e gjatë që kurse është vendosur ylli i mëparshëm, dhe në një kuptim është lehtësim që në këto vite numri i rasteve tragjike është më pak sesa gishtat e një dore.
Statistika nuk ka rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa të gjithë jetët kur ajo humbet. Ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë sesa fjalët tona ndjenjat tona. Ndjej një lehtësim kur mendoj që fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të kujdesemi për ta deri kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë.
170% e pagës së babait për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjen, as ato 50 milionë lekë që ne i akorduam familjes, por është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar për dore jo vetëm nga nëna, por edhe nga shteti. Nuk do të ti mungojë asgjë, përvec mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson. Nderime dhe lavdi dëshmorëve që sot i bashkohet edhe ylli i Saimirit”, tha Rama.