Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim thotë se diversifikimi i energjisë nuk mund të presë, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.
Sipas Kim, SHBA-të do të ketë një partneritet të ngushtë me Shqipërinë për projektet rajonale që kanë të bëjnë me diversifikimin e energjisë.
Duke parë situatën ku Rusia dhe Ukraina janë në konflikt prej më shumë se dy muajsh, Kim e sheh si të nevojshme ndërtimin e më shumë gazsjellësave.
“Të gjithë kemi parë që pushtimi i pajustifikuar nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës, ka bërë të qartë se diversifikimi i energjisë nuk mund të presë. Madje, mbrëmë kemi parë se si Rusia ka kërcënuar dhe ka fikur dhënien me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Kemi nevojë që të kemi më shumë gazsjellësa. Shtetet e Bashkuara dhe Europa po përballen me një realitet të ri me sfida ushtarake, diplomatike dhe ekonomike”, tha diplomatja.
Deklaratën, Kim e dha këtë të mërkurë gjatë një takimi, zhvilluar me një grup kompanish lider në tregun e energjisë në SHBA dhe BE që janë të gatshëm për t’u përfshirë në projektet e Shqipërisë për eksportimin e energjisë.
Të pranishëm, ishin edhe kryeministri Edi Rama me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.