Në 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë, ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim foli për sfidat me të cilat përballet vendi ynë sa i takon reformës në drejtësi. Ajo tha se shqiptarët duan drejtësi dhe mundësi të barabarta.
“Sfidat e sotme janë të ndryshme nga ato me të cilat u përballën paraardhësit tuaj. Kam takuar shumë shqiptarë. Më kanë thënë qartë, që duan drejtësi, arsye për të qëndruar në këtë vend. Reforma po krijon rezultate reale dhe të prekshme çdo ditë. Gjykata e lartë ka shumë gjëra për të qenë krenare. Katër vite me parë kishte vetëm një gjyqtar. Sot ka 16 anëtarë dhe 3 vakancat e mbetura duhet të plotësohen. Ka më shumë për të bërë pasi populli shqiptar meriton drejtësi të dhënë në kohë”.
Sipas saj themeli i reformës është ndarja e gjyqësorit nga ndikimi politik.
“Duhet të jemi më të kujdesshëm për rreziqet. Kundërshtarët duan që ajo të dështojë. Reforma po funksionon me të vërtetë, por tregon se sa e rëndësishme që të gjithë ne këtu, Gjykata e Lartë, SHBA, be, të vijojmë mbështetjen. Themeli i reformës është ndarja e gjyqësorit nga ndikimi politik, por kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet e vjetra”.
Duke shprehur mbështetjen e SHBA për Shqipërinë, ajo theksoi se është koha për një ambasador të ri.
“SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë. Ka kaluar mbi 3 vite dhe fakt është që pas 3 viteve është koha për një ambasador të ri. Të gjithë e kemi parë procesin në Washington. Reforma nuk ka për të ndryshuar, ndonëse ndryshojnë ambasadorët. Shpresoj që ju do të kuptoni që kur SHBA flet për drejtësinë, e bëjnë këtë si një mik i sinqertë. Askush nuk është mbi ligjin”.