Kryesore Yuri Kim i heq “shpresat” Berishës: “Non grata” nuk mund të hiqet....

Yuri Kim i heq “shpresat” Berishës: “Non grata” nuk mund të hiqet. Provat janë para syve tuaj

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar mbrëmjen e sotme Euronews Albania se dizenjimi “non grata” nga Departamenti i Shtetit nuk mund të hiqet.

Ajo u shpreh se janë më shumë se 200 persona të dizenjuar nga SHBA “non grata”, por askush prej tyre nuk ia ka dalë që ta heqë. Sipas saj, edhe Shqipëria nuk përbën përjashtim, pasi provat janë para të gjithëve.

“Kjo ka të bëjë me korrupsionin dhe procesi për dizenjimin e dikujt për përfshirjen në korrupsion domethënës merr vite. Nuk bëhet nga individë, nuk është diçka që mund të zhbëhet. Ideja se ky është diçka që bëhet për hakmarrje, mund të them se është fantazi. Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga DASH “non grata”. Janë qindra persona që ekzaminojnë çdo provë dhe ndërtojnë një paketë. Pra, kur arrin në zyrën e Sekretarit të Shtetit, cilitdo Sekretar Shteti, ai ka sigurinë që informacioni është tërësisht i besueshëm.

Nga 200 persona që janë shpallur “non grata”, e dini sesa ia kanë dalë të zmbrapsin nga ajo që iu është bërë? Zero. Shqipëria nuk përbën përjashtime, provat janë para syve tuaj. Nëse e përdor autoritetin e postit për të vjedhur nga vendi yt dhe pastaj përdor forcën politike për të mos lejuar ndjekjen penale, kjo nuk është e pranueshme”, tha Kim.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga DASH, ka paditur në Gjykatën e Parisit Sekretarin amerikan Blinken, por kjo deklaratë e ambasadores tregon që atij nuk do t’i hiqet dizenjimi “non grata” asnjëherë.

Yuri Kim tregon se kush i mblodhi provat për të shpallur non grata Berishën

Yuri Kim deklaroi se shpallja non grata e Sali Berishës erdhi pasi u mblodhën prova nga shumë institucione.

“Nuk është vetëm DASH. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë,” – u shpreh ambasadorja.

Kim sqaroi se procesi për shpalljen non grata të dikujt merr vite dhe nuk bëhet brenda ditës e as nga një individ i vetëm.

“Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish,” – deklaroi ambasadorja.

Sipas saj nuk ka asnjë provë që mund të bëhet publike në asnjë proces gjyqësor.

“Në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi,” – tha Kim e cila insistoi disa herë se pavarësisht se Berisha ka hapur një proces gjyqësor në Paris për këtë çështje, atje nuk do të ketë asnjë deklarim nga SHBA.

Ambasadorja theksoi se shpallja non grata e ish-kreut të PD-së u bë bazuar në fakte dhe përfshiu shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

“Askush nuk e di se kush do të shpallet ‘non grata’”

“Ne nuk e ndajmë këtë informacione me askënd”. Kështu u përgjigj ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj deklaratave të Lulzim Bashës për të tjerë persona ‘non grata’ që do pasojnë Sali Berishën.

Në një intervistë për emisionin ‘Now’ në Euronews Albania kryediplomatja amerikane u shpreh se ky është një proces shumë konfidencial ndaj do të ishte habi që deklarata të tilla të bazoheshin në informacion faktik dhe të besueshëm.

“Shikoni, thuajse çdo javë, dakord, jo çdo javë, por çdo muaj, shoh një artikull apo ndonjë gazetar që thotë: e di kush është personi tjetër që do shpallet; do të ketë përcaktime. Me gjithë respektin, them se ky është një proces shumë konfidencial dhe do të habitesha vërtet shumë nëse deklaratat e tyre do të bazoheshin në informacion faktik, të besueshëm… Ne nuk e ndajmë këtë informacion me askënd”, tha Kim.

Ambasadorja përsëriti vendosmërinë e SHBA në luftën kundër korrupsionit, teksa theksoi se të gjithë udhëheqësit do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

“Nëse je përfshirë në korrupsion, nëse abuzon autoritetin e pushtetin e postit, nëse abuzon me besimin publik, tani është koha për të ndaluar dhe menduar pasojat. Tani është koha për të vënë në peshore nëse ajo që po bën dhe po përfiton ia vlejnë koston që në fund do të duhet të paguash. Drejtësia po vjen dhe në mos gjë tjetër, përcaktimet që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, vjet dhe tashmë këtë vit, demonstrojnë se cilido do të japë llogari. Askush nuk është mbi ligjin. Askush”, theksoi ambasadorja Kim.

Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD është vetëm i Lulzim Bashës, tha ambasadorja, teksa sqaroi se e vetmja gjë që SHBA bëri ishte t’i ofronte kreut të PD informacion lidhur me çfarë do të thotë përcaktimi dhe cilat janë pasojat e non grata.

“Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale Kaq bëmë, ofruam informacion”, u shpreh kryediplomatja amerikane.