Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme të Apelit për një takim me trupën e gjyqtarëve. Dy ditë me parë Kim zhvilloi një takim me gjyqtarët e posaçëm të Shkallës së Parë. Pas atij takimi, përmes një publikimi në Facebook, Kim tha se vendimet e gjyqtarëve kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.
“Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha Ambasadorja gjyqtarëve.
Ambasadorja amerikane ka mbështetur më shumë se kushdo tjetër reformën në drejtësi dhe progresin e saj. Të enjten, në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, për herë të tretë në 10 ditë, Kim foli për njerëz që kundërshtojnë këtë progres. “Ju që doni ta tërhiqni Shqipërinë në të shkuarën, duke shpërfillur vuajtjen e qytetarëve, ju them ndaloni! Jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Koha e atyre telefonatave, dërgimit të emisarëve, dhuratave apo kërcënimeve; kërcënimeve edhe me ekspozimin e dokumenteve sekrete, ajo kohë ka mbaruar. Ju që keni gëzuar privilegjet, keni gëzuar imunitetin; keni mbushur xhepat për vete fëmijët dhe miqtë tuaj, jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Është koha të lini qytetarët të jenë vërtetë të lirë”, tha Kim.