Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka marrë pjesë në një takim të organizuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku gjithashtu janë të pranishëm përfaqësues të forcave kryesore politike në vend.
Përveç kreut të KQZ, Aurel Celibashi, në takim marrin pjesë edhe Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, Jorida Tabaku nga Partia Demokratike dhe Monika Kryemadhi, nga Partia e Lirisë.
Edhe pse shkaqet e takimit nuk janë bërë publike, ai vjen një ditë pas publikimit të raportit të shërbimeve inteligjente amerikane, sipas të cilit Partia Demokratike kishte përfituar rreth 500 mijë euro në vitin 2017, nga Rusia.