Kryesore Yuri Kim: Nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria duhet të vazhdojë të...

Yuri Kim: Nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë një vend i varfër

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri është shprehur se shumë shpejt Shqipëria do të bëhet një vend i drejtë dhe më i pasur. Në një intervistë për Qendrën Marshall, ambasadorja Kim theksoi dhe tri synimet që qeveria e SHBA ka për vendin tonë.

“Nuk ka asnjë arsye mbi tokë pse Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë një vend i varfër. Ka njerëz të talentuar. Ka një pozicion gjeografik jashtëzakonisht strategjik dhe shumë burime natyrore. Mendoj se nëse do të gjendej një mënyrë për të nxjerrë në pah talentin e njerëzve, do të ishte një vend të paktën me të ardhura mesatare dhe sa herë bisedon me qytetarë shqiptarë të thonë se pengesa më e madhe është korrupsioni. Ne jemi fokusuar kaq shumë tek demokracia, tek shteti i së drejtës, kështu që do të ecim përpara me këto tri çështje. Shumë shpejt do shihni një vend të drejtë, më të fortë dhe më të pasur për pjesën më të madhe të shqiptarëve”.

Diplomatja amerikane tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë, duke vijuar partneritetin me SHBA.

“Mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor janë familjarizuar shumë mirë me rolin të tyre dhe pasojat që vijnë nga konkurrenca për influencë. Sa për Shqipërinë, ajo është shumë e qartë se kush janë miqtë dhe armiqtë e saj. Rusia dhe Kina kanë shumë pak tërheqje në Shqipëri dhe mendoj se shqiptarët kanë pasur eksperiencat e tyre me këto dy vende dhe e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre është në Evropë dhe e ardhmja e tyre do të ndërtohet në partneritet me SHBA-në”.

Kim foli dhe për mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në aspektin strategjik euroatlantik, ku theksoi se SHBA është angazhuar që të ndihmojë vendet e rajonit për të forcuar bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe për të vijuar integrimin në BE.