Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë një paralajmërim të pastër ndaj kryetarëve të partive politike.
“Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, shkruan ambasadorja në Twitter.
Reagimi i Yuri Kim erdhi pasi në media qarkulloi lajmi se ish-gjyqtari i dorëhequr nga sistemi i drejtësisë, Gjin Gjoni, ishte propozuar nga baza e Partisë Demokratike si kandidat për deputet.
Burime zyrtare nga PD e mohuan këtë lajm, duke theksuar se me metodologjinë e hartuar për seleksionimin e kandidatëve, është përcaktuar si kriter përjashtues që nuk mund të kandidohet asnjë person i shkarkuar nga vetingu apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.
Takimet
Paraditen e sotme diplomatja amerikane shkoi në Presidencë në një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, për të diskutuar pikërisht mbi situatën e krijuar, për shkak se kampet politike janë të ndara për ndërhyrjet në Kushtetutë, sa i përket procesit zgjedhor, që kërkohen nga pakica parlamentare. Takimi i diplomates amerikane me Presidentin Meta zgjati mbi një orë.
Ditën e djeshme Yuri Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Rama, bisedë që erdhi disa orë para se shefi i mazhorancës të firmoste marrëveshjen me opozitën parlamentare, ku mori dakordësi si për miratimin e kodit të ri elektoral që ka dakordësuar me PD dhe LSI, ashtu dhe për nismën kushtetuese të kërkuar nga pakica në Kuvend.
Më herët ambasadorja Kim kishte bërë thirrje për miratim pa vonese në Parlament të marrëveshjes së 5 qershorit.