Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim ditën e sotme me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme. Takimi është mbajtur në ambientet e gjykatës.
Sipas një njoftimi në faqen e ambasadës në Facebook, Kim u takua me anëtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht ndërsa Gjykata nuk është plotësuar ende me 16 gjyqtarët e nevojshëm dhe ka një numër gjithnjë e më në rritje të çështjeve.
“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqij se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha ambasadorja gjyqtarëve.
Pak ditë më parë përmes një postimi në rrjete sociale tha se ka përpjekje për të joshur dhe frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët dhe se ishte koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor.
“Ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për të zvarritur Shqipërinë në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet. Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. SHBA-ja po i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi”, shkruante Kim në rrjetin social.