Ekonomi Zadrima mund të shndërrohet në orizore, rezulton me sukses kultivari inovativ

Zadrima mund të shndërrohet në orizore, rezulton me sukses kultivari inovativ

Një varietet i ri orizi që kultivohet me pak ujë dhe është më shumë rezistent ndaj kushteve të motit u eksperimentua me sukses nga njësia e Agroturizmit Mrizi i Zanave, administratori i të cilit, Altin Prenga, vitet e fundit po mundohet të rikthejë një traditë të hershme të kultivimit të orizit në zonën e Zadrimës.

Në këtë mision, ai është ndihmuar nga një prej shkencëtarëve më të mirë në botë për kërkimet në kultivarët e orizit, shqiptari Filip Haxhari, i cili drejton aktualisht Institutin Kërkimor më prestigjioz për orizin në Vercelli të Italisë.

Prenga eksperimentoi këtë vit në mbjelljen e 11 llojeve të kultivarëve të orizit, me konsulencën e zotit Haxhari për të verifikuar kulturat që do të kishin përshtatjen më të mirë me kushtet klimatike në Shqipëri.

Korrjet u kryen para pak ditësh dhe rezultatet ishin pozitive për të paktën tre lloje orizi që i përkasin gastronomisë së nivelit të lartë, tha Prenga. Ai është i entuziazmuar nga rendimenti dhe shpreson që shumë shpejt zona e Zadrimës të kthehet një prodhues i kultivarë me vlerë të lartë të orizit.

“Rezultat e korrjeve të këtij viti ishin 5-7 tonë oriz për hektarë, por çmimi i tregut është dy herë më i lartë se i drithërave të tjerë.

Investimi fillestar për mbjelljen e tij është pak i lartë, pasi kërkon nivelim të mirë të tokës për të mbajtur ujin në njëtrajtësi, por pas vitit të parë kostot janë njësoj si për kultivimin e grurit, por vlera e tregut për kultivarët që ka shpikur zoti Haxhari është shumë më e lartë”, tha Altin Prenga.

Ai shpjegoi se Shqipëria nuk ka treg për orizin e pazhveshur, por shtoi se është gati të bëjë një kontratë parablerje për këdo që e kultivon këtë lloj orizi.

Sigurisht, që Shqipëria nuk është një vend i përshtatshëm për orizin masiv, por mund të kultivojë disa lloje (si përshembull oriz i zi) që përdoret nga segmenti i lartë i gastronomisë e për rrjedhojë ka vlerë më të lartë në treg.

Orizi nuk kërkon më shumë punë se gruri dhe misri dhe për tepër zona e Zadrimës dhe Shkodrës ka një traditë të hershme të kultivimit. Të dhënat tregojnë se rastet e kultivimit të orizit në Shqipëri datojnë që në vitet 1500.

Varietetet e orizit, dy lloje të bardha dhe një i zi që janë shpikur nga zoti Haxhari dhanë rezultatet frymëzuese këtë sezon.

Pak ditë më parë mediat italiane i bënë jehojnë të madhe suksesit të kultivarëve të rinj të shpikur nga zoti Haxhari të cilat po rezultojnë revulucionare në prodhimin e orizit cilësor në kushte të vështira klimaterike, me pak ujë./Monitor