Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev paralajmëroi se javën e ardhshme do të japë dorëheqjen, ndërkohë që theksoi se pret, pas formalizimit të dorëheqjes në parlament, që pasuesi i tij si kryeministër i ri të jetë Dimitar Kovaçevski, ndërsa suksesi i parë i qeverisë të jetë mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.
“Këto ditë mbarojmë me konsultimet me partnerët e koalicionit. Atë që mund ta them është se rrumbullakësohen procese të rëndësishme edhe programore edhe qeveritare”, deklaroi Zaev, i cili i dorëzoi funksionin e kryetarit të ri të partisë Dimitar Kovaçevski.
Lidhur me veton bullgare, Zaev nuk humbi shpresat se ajo do të japë reagime pozitive.
“Unë nuk e humbas shpresën se qeveria e re bullgare do të japë reagime pozitive. Përfundimisht i kemi dhënë përgjigjet tona dhe besoj se janë tejkaluar keqkuptimet. Nëse mbeten detaje ne jemi në dispozicion si shtet, nën drejtimin e kryeministrit të ardhshëm për t’i saktësuar dhe për t’i biseduar”, tha Zaev.
Zaev pret që pikërisht mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare me BE-në të jetë edhe një prej sukseseve të mëdha të kryeministrit të ri, Dimitar Kovaçevski.
Ai vlerëson se nuk janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare.