Kryeministri i Republikë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë sot një mesazh të tërthortë për opozitën në Shqipëri.
Ai tha se Qershori i vitit 2019 është tepër i rëndësishëm për të dyja vendet sa i përket proceseve integruese në BE, dhe i bëri thirrje opozitës që teksa zhvillon betejën e saj opozitare të mos dëmtojë proceset integruese të vendit.
“Ne ishim opozitë para 21 muajsh. Nuk është shumë larg për të kujtuar se çfarë ndodhi. Ne jemi miq të të gjithë qytetarëve, por duhet të potencoj se në kohën kur unë isha në opozitë, raportet e BE dhe SHBA flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni. Gjithmonë kërkoja nga ndërkombëtarët që Maqedonia të avanconte në proceset integruese. Gjithkush ka të drejtën e demonstratave, por duhet të kemi kujdes për të ardhmen e vendit”, tha Zoran Zaev.
Më tej, Zaev e quajti Shqipërinë dhe shqiptarët si shtet dhe popull mik të maqedonasve. “Shqipëria është një nga miqtë më të afërt dhe partnerët me të cilën mund të punojmë për perspektivën e përbashkët të rajonit.”