Krerët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në deklaratat për FT e kanë kritikuar Brukselin për ritmin e ngadaltë të zgjerimit të BE-së. “Ne e dimë se ka lodhje të zgjerimit në BE”, i tha Alexander Vuçiç “Financial Times”, “prandaj duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për njerëzit tanë, si mund të zgjerojmë tregjet ballkanike”.
Edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke shprehur zhgënjimin që BE nuk po i përmbush premtimet e saj tha se duhet të përshpejtojmë përfitimet praktike për qytetarët e rajonit.
Edi Rama, i sapo rizgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, e krahasoi punën me Brukselin me shfaqjen ekzistenciale të Samuel Beckett. Në pritje të Godot, në të cilën dy burra përfshihen në një seri bisedash shpesh absurde, ndërsa parashikojnë ardhjen e dikujt që nuk vjen kurrë.
Zona e udhëtimit dhe biznesit e Ballkanit mini-Shengen do të përfshijë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit me korsi të gjelbërta për kalime më të shpejta në kufijtë mes shteteve të rajonit me kohë të reduktuara të pritjes për ngarkesat e mallrave dhe qasje më të lehtë për lejet e punës. Shpresohet se zona, për të cilën Vuçiç tha se duhet të vihet në funksionim para fundit të vitit, do të përfshijë Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, ndërsa ftesa mbetet e hapur për Kosovën me status të diskutueshëm.
Rama ka deklaruar se ata po shtyjnë përpara shtetet e tjera të Ballkanit për të mos u mbërthyer në një karikaturë të vogël të BE-së, ku për gjithçka duhet konsensusi dhe të gjithë të bllokojnë vendimet përmes vetos. Të tre udhëheqësit ballkanikë kanë besim se kanë marrë mbështetjen e plotë nga BE dhe SHBA për përpjekjen e tyre.
“Ballkani që kemi sot mund të jetë shembulli i shndritshëm i politikës së jashtme amerikane”, ka deklaruar Rama, “për të cilin liritë që gëzojmë njerëzit në rajon janë para së gjithash kontribut i administratave në Uashington”. Analistët paralajmërojnë se përveç Kinës e Rusisë, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë gjithashtu aktive në këtë rajon.