Nga Edmond Ismailati
Futbolli, edhe pse një sport i mirënjohur dhe shumë popullor në botë, në rrethin e Tepelenës, u bë i njohur dhe masiv, në vitet e para, pas çlirimit të vendit.
Ishte tepelenasi Karafil Asllani, i cili e solli këtë sport, e çertifikoi, e kultivoi dhe e trashëgoi ndër breza, të cilët po e vazhdojnë edhe sot!
Karafil A. Caushi, pasi përfshihet në moshë shumë të re, në radhët e lëvizjes së rinisë ANÇ-re, në vitin 1942, kur ishte vetëm 16 vjeç, doli partizan, duke u inkuadruar si fillim, në batalionin “Baba Abaz” dhe më vonë iu bashkua Brigadës së 16-të Sulmuese. Pas çlirimit, shkon për të kryer shërbimin ushtarak dhe përgjatë kësaj periudhe, aktivizohet me ekipet, Skënderbeu, Partizani dhe Luftëtari, ku njihet nga afër edhe me futbollistin e mirënjohur Loro Boriçi. Pasi kryen shërbimin ushtarak, kthehet në Tepelenë dhe në vjeshtën e vitit 1947-të, hedh themelet e futbollit tepelenas, duke krijuar ekipin e parë në këtë trevë.
Nuk ishte aq e lehtë për këtë nismë, pasi në atë kohë, si në çdo vend të dalë nga lufta, edhe në Tepelenën tonë, diskutohej buka e gojës dhe ky sport ishte i panjohur për këtë trevë kryesisht malore, e cila ishte e përkushtuar pas punëve nëpër ato pak prona që kishin, sidomos në atë të blegtorisë.
Ishte një top futbolli i përdorur, të cilin, Karafil A. Caushi, e kishte ruajtur si gjënë më të shtrenjtë, që nga fëmijëria e tij. Ishte pikërisht topi që kishte luajtur futboll në vitet 1935-40, kur ishte nxënës i shkollës fillore në qytetin e Sarandës, që do të shënonte edhe fillimet e këtij sporti në rrethin e Tepelenës.
Si fillim, ua bëri të njohur disa bashkëpatriotëve të tij, duke filluar të luanin fulboll me njëri-tjetrin, deri në momentin ku filloi të përzgjidhte disa prej tyre, që kishin tipare më dalluese në këtë sport. Emrat e tyre që krijuan ekipin e parë e në vazhdim janë si: Karafil A. Caushi (sulmues), Meçe Abedini (mesfushor), Kiço Karaj (portier), Neki Tarka, Arif Gërbi, Nebi Basha dhe pak më vonë Sabaudin Shehu (mesfushor), Zane Nika (portier), Nasim Shehu (sulmues), Sefi Paza, Nesim Caushi (qendërmbrojtës), Nazmi Pajo (mbrojtës), Astrit Paja, Elmas Micka (mbrojtës), Ferat Shabani (portier), Dionis Simoni (mesfushor), Musa Çela, Dule Harizaj (mbrojtës), Sali Sulejmani, Zeqo Kadiri dhe Thoma Frashëri, të cilët formuan ekipin e parë dhe në vitin 1948-të, e legalizojnë me emrin “Vjosa”.
Në vitin 1950-të, merr emrin “Puna”. Këta futbollistë, e përfaqësuan futbollin tepelenas, deri në vitin 1958-të, dhe më pas u aktivizuan edhe futbollistë të tjerë. Trajneri dhe kapiteni i parë i ekipit, ka qenë Karafil A. Caushi.
Si fillim, ndeshjet u luajtën në një fushë, me vendndodhje në fashtin Beçisht, përtej lumit Vjosë, ku fillon edhe ura e Ali Pashë Tepelenës, që lidhet me kalanë, në krahun tjetër. Më vonë, merret vendimi që ndeshjet zyrtare, të luhen në një fushë tjetër, të lokalizuar tek Pallçia, në qytetin e Tepelenës dhe më pas në qytetin e Memaliajt.
Në vitin 1958-të, zyrtarizohet me emrin “Minatori”. Në vitin 1967-të, trajner i ekipit “Minatori”, bëhet Sefi Paza. Ekipi paraqet një formë të lartë sportive, në kampionatin e këtij viti dhe kryeson tabelën e klasifikimit, duke bërë të mundur edhe ngjitjen për herë të parë, për në Kategorinë e II-të. Për këtë arritje, viti 1967, ngelet nga më të vlerësuarit në historinë e futbollit tepelenas.
Në kampionatin e vitit 1968-të, ekipi drejtohet nga trajneri, Halit Minxolli. Ndërsa në kampionatin e vitit 1969-të, drejtohet nga trajneri, Sabaudin Shehu. Në vitin 1970, rikthehet trajneri Karafil A. Caushi dhe përgjatë periudhës 1970-79, drejtohet nga trajneri, Partizan HIla.
Emrat të tjerë futbollistësh, që kanë luajtur deri në vitet 1971 janë:
Halit Minxolli (portier), Partizan Hila (mesfushor), Tefik Lila (mesfushor), Muharrem Baze (sulmues nga Skrapari), Qëndro Qëndraj (sulmues), Dilaver Abazi (mesfushor), Eqerem Braja (sulmues), Vasil Vaso (nga Fieri), Ferdinat Kola, Abaz Dedgjoni (sulmues), Aleks Mero (mesfushor), Neshet Zhupa (sulmues), Muhamet Lola (mbrojtës), Halim Pacani (mbrojtës), Enver Ogreni (sulmues nga Korça), Kujtim Hysi, Pëllumb Xhani (mbrojtës), Memet Muçi (portier), Kujtim Hysenaj (sulmues nga Tirana), Viron Laska (sulmues), Gëzim Hysesani (sulmues), Enver Shehu, Nikoll Nikolla (mesfushor), Skënder Arapi (qëndërmbrojtës), Stavri Gusho (nga Gjirokastra), Eaerem Shehu, Xhafer Bektashi, Timo Bushi (portier), Qamil Skrapalliu, Androkli Muzha (sulmues), Isa Bonjaku (portier nga Tirana), Astrit Paja, Pjetër Gjuraj (sulmues), Kujtim Mema, Spiro Ndraçi, Pandeli Kume, Sali Suljemani, Miço Maçi, Sulejman Proda, Qejvan Maçi, Petref Goxhaj, Haxhi Muçi, Mustafa K. Mustafaraj, Qani Bega (portier), Mitat Gërbi (qendërmbrojtës), Mustafa S. Mustafaraj (mesfushor), Pandeli Dule, Ferdinant Kola (mbrojtës nga Lezha), Muharrem Kaso (mbrojtës), Gëzim Kalemi, Dionis Çakalli, Fiqiri Qendro, Lulëzim Shala (nga Tirana), Novruz Çibuku, Agim Doda (mbrojtës nga Fieri), Sulo Hodo, Avdul Braja, Safet Lulo, Irakli Dine, Bashkim Xhemali, …etj
Në kampionatin e futbollit të vitit 1967 dhe në vazhdim, ekipit “Minatori”, iu bashkuan edhe lojtarë të rinj si: Petrit Kocali (portier), Sadik Nela (qendërmbrojtës), Asllan Seferi (qendërmbrojtës), Qirjako Fani (mesfushor), Namik Caushi (mesfushor), Shpëtim Memallaj, Muhedin Targaj (qendërmbrojtës), Mehdi Malkaj, Reshat Sala (qëndërmbrojtës), Myzafer Shehu (mesfushor), Asllan Hyseni, Përparim Goxhaj, Vilson Shehu (portier), Nuro Hamzai, Ilia Muçi, Vangjel Muçi (portier), Kastriot Lika (mesfushor), Vladimir Shehu (qendërmbrojtës), Maliq Xhani, Irakli Liti, Pajtim Meçe, …etj.
Të gjithë futbollistët që lartpërmenda, ku disa prej tyre, dolën edhe trajnerë, vinin nga profesione të ndryshe, pa harruar edhe ata që kanë marr pjesë në LANÇ-re, si: Karafil A. Caushi dhe Kiço Karaj, të cilët, pas lufte kanë dhënë kontributin e tyre, duke punuar në profesione të ndryshme. Profesionet e futbollistëve kanë qenë nga më të larmishmet. Disa prej tyre, kanë punuar në profile të ndryshme të nëntokës dhe të sipërfaqes së minierës, duke filluar nga minator, punëtor, elektricist, mekanik, inxhinier mekanik, inxhinier miniere, drejtor miniere, ekonomist, shofer, tornitor, por edhe mësues të degëve të ndryshme, …etj.
Padyshim, që kontributi i tyre, është dhe do të ngelet i veçantë, jo vetëm në atë të themelimit, zhvillimit dhe trashëgimit të futbollit tepelenas, por edhe në atë të ndërtimit dhe përparimit të vendit!
Mirënjohje pa kufi, për të gjithë këtë plejadë futbollistësh, të cilët do të kujtohen dhe nderohen ndër breza, pasi kontributi i tyre është dhe do të ngelet historik!