Sport Zanetti: Messi-n nuk mund ta merrnim. Barcelona është shtëpia e tij

Zanetti: Messi-n nuk mund ta merrnim. Barcelona është shtëpia e tij

Interi kurrë nuk ishte në gjendje të bënte një ofertë për Lionel Messi, pretendon Javier Zanetti. Zv.presidenti i klubit zikaltër, gjithashtu pretendon se Barcelona nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar shërbimet e Lautaro Martinez. Dy ndërkombëtarët argjentinas të profilit të lartë kanë qenë shumë të lakuar javët e fundit. Messi është “regjistruar” në radarin e Interit për disa kohë, me gjigantët e Serie A që nuk e kanë fshehur interesin e tyre për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”, por vetëm kaq.

U duk se dera u hap menjëherë për zikaltrit, kur 33-vjeçari paraqiti dëshirën e tij për t’u larguar nga “Camp Nou”. Megjithatë, Messi i ka thënë “Goal” se tani do ta kalojë edhe sezonin 2020-2021 në Katalonjë, duke iu dhënë fund zërave për klubin e ri. Zanetti pretendon se Interi kurrë nuk arriti as të hynte në bisedime transferimi, pavarësisht spekulimeve të forta. Ai nuk është i befasuar kur sheh bashkatdhetarin të qëndrojë te Barcelona.

“Ne nuk ishim në gjendje të bënim një ofertë për Messin, – tha Zanetti për “TyC Sports”. – Merkatoja jonë është e tillë kësaj vere: duhet të shesim fillimisht dhe pastaj të blejmë. Interi duhet të respektojë “fair play financiar”. Nuk kishte asnjë moment bisedimesh për Messin. Siç ka thënë gjithmonë, Barcelona është shtëpia e tij, familja e tij dhe, duke parë se si përfundoi, është e drejtë që shkoi ashtu. Leo ishte shumë i qartë kur tha që familja peshon rëndë dhe kjo është delikate, shumë delikate. Financat nuk janë të rëndësishme për të”.

Ndërsa Messi nuk do të largohet nga Barcelona së shpejti, Zanetti këmbëngul se Lautaro nuk do të marrë rrugën e kundërt. Sulmuesi vlerësohet shumë dhe është identifikuar si objektiv i lartë nga gjigandët e La Liga-s, por asnjë qasje zyrtare nga Blaugrana-t nuk ka pasur deri tani. Zanetti ngre lart 23-vjeçarin argjentinas: “Në rastin e tij, duke qenë thjesht një lojtar i ri dhe me një potencial të tillë, është normale që skuadrat e tjera ta shikojnë dhe pëlqejnë. Por, ajo që shoh çdo ditë, më bën të besoj se Lautaro dëshiron të qëndrojë në Itali. Për momentin, nuk ka negociata midis Interit dhe Barcelonës. Ne jemi të lumtur me të, edhe ai është i lumtur këtu. Lautaro e di që është në një klub të shkëlqyeshëm dhe se po përmirësohet shumë falë trajnerit Antonio Conte”.