Drejtuesi i Prokurorisë Aurel Zarka, si dhe hetuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Dautaj, njëkohësisht magjistrate në Shkollën e Magjistraturës kanë rënë në prangat e policisë me urdhër të SPAK.
Zarka është shoqëruar nga policia e Vlorës gjatë natës dhe është transferuar në Tiranë. Së bashku me Zarkën dhe Dautajn është arrestuar avokati Radovan Çela dhe biznesmen Astrit Vladi. Ata akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në një çështje nën hetim.
Çështja në fjalë lidhet me dosjen “Toyota Yaris”, një hetim i marrë përsipër nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Vladi ka qenë më parë i dyshuar për vrasje e shtetasit Paulin Marku në vitin 2011 tek kthesa e Kamzës në Tiranë. Pasi është arrestuar nga Policia si i dyshuar për vrasjen e Markut, ai është liruar me urdhër të Prokurorisë, e cila e ka cilësuar arrestimin si të paligjshëm.
Radovan Çela ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris’
Prokuroria i akuzoi dy kushërinjtë Elvis Vladi, dhe Alfred Vladi, për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia.
Astrit Vladi, biznesmen dhe aksioner i disa kompanive në Shqipëri, është vëllai i Elvis Vladit. Sipas regjistrit civil të vitit 1998, ai mund të ketë mbajtur më parë emrin Doxh Vladi.
Çështja mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës. Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”.
Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.
Denoncimi i Bashës i dha dosjes emrin “Toyota Yaris”, ndonëse makinat e dorës së dytë i përkisnin markës “Toyota Auris”.