Seanca për caktimin e masën së sigurisë për personat e arrestuar në kuadër të operacioni policor “Metamorfoza”, mes të cilëve prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri, biznesmeni Pëllumb Gjoka, është ndërprerë për 2 orë.
Kjo ka ardhur pasi avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë kërkuar kohë që të njihen me vendimin e masës së sigurisë dhe aktet e dosjes. Dosja përbëhet nga 110 faqe ndërsa gjykata pranoi kërkesën.
Në lidhje me këtë dosje kriminale, gazetarja e Klan News Glidona Daci ka mësuar detaje të reja mbi rolet e personave të arrestuar për 4 ngjarje kriminale.
Daci raporton se ish-efektivi i policisë që prej disa kohësh shërbente si shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka, në vrasjen e Gjin Ndojit dhe atentatin ndaj Kleant Musabelliut kishte rol aktiv.
Në dosjen hetimore të SPAK, evidentohen prova që krijojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Preka, në vrasjen e Gjon Ndoj (Boriçi), ka ndihmuar autorët e krimit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pasi i morën jetën shenjestrës me dy plumba në kokë dhe një në shpatull. Vrasja e Boriçit dyshohet të jetë kryer nga Behar Bajri dhe klani i tij.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje ku Preka është përfshirë, është ajo e planit të vrasjes së Kleant Musabelliu, ish-punonjës i drejtorisë së Burgjeve. Preka ka informuar grupin e Ervis Martinajt me foto dhe informacione mbi lëvizjet e shënjestrës, ndërsa ka krijuar kushte për vrasje.
Atentati dështoi në rrethana të paqartësuara deri më sot nga autoritetet. Ish-oficeri i policisë ka luajtur rolin e informatorit ndaj personave të interesuar për asgjësimin e Musabelliut. Ky plan, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri, i cili flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur 3 shtetas të huaj, një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë Euro, teksa Gjoka i thotë që “nëse është nevoja jepu më shumë”. Por Bajri del garant duke i thënë që për kaq para do ta bënin vetë./Klan News